U akuzua nga ministri Çuçi për lirimin e Edison Begajt, KPK shkarkon nga detyra gjyqtarin e Vlorës

3 Minuta Lexim

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra gjyqtarin e Vlorës, Albert Spiro. Vendimi në KPK për gjyqtarin Spiro u mor nga trupa e përbërë nga Brunilda Bekteshi, Pamela Qirko dhe Etleda Çiftja.

Kujtojmë se në qershor të këtij viti, Spiro u akuzua publikisht nga ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi për lirimin nga qelia të Edison Begajt –një person me precedentë të mëparshëm penale. Gjykata e Vlorës u përgjigj se masa e “arrestit shtëpiak” ishte kërkuar nga prokurori.

Si ka ndryshuar pasuria e gjyqtarit Spiro ndër vite:
Në deklarimin për herë të parë në vitin 2003, gjyqtari Albert Spiro deklaronte pasuri me vlerë 3.2 milionë lekë, ndërsa në fund të vitit 2018, pasuria familjare është 5-fishuar, duke kapur vlerën e 18.4 milionë lekëve.

Spiro zotëron familjarisht pasuri të paluajtshme me vlerë 16 milionë lekë, kursime të akumuluara në cash prej 1.9 milionë lekësh, automjet me vlerë 534 mijë lekë si letra me vlerë të deklaruara në vitin 2003 në vlerën e 45 mijë lekëve.

 

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 28.6 milionë lekë, nga të cilat 58% kanë si burim pagën e tij si gjyqtar, gati 28% nga pagat e familjarëve dhe 12% nga shitja e pasurisë së patundshme.

 

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për 15 vite të deklarimit, dy prej deklaratave rezultuan me probleme.

Subjekti Albert Spiro rezulton me mungesë burimesh për shtesën e aseteve në dy vite të deklarimit: në vitin 2011 në shumën 151,671 lekë dhe në vitin 2014 në shumën 354,827 lekë- pa llogaritur në këtë analizë shpenzimet vjetore për konsum familjar.

Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamuj të kuq” transaksionet me pasuritë e patundshme si dhe një huamarrje në vlerën e 50 mijë eurove.

Më konkretisht në vitin 2003, gjyqtari Albert Spiro deklaron një apartament banimi në Gjirokastër të blerë në vitin 1997 në vlerën e 26,000 USD me burim punën në emigrim. Apartamenti është shitur në vitin 2008 në vlerën e 6,200,000 lekëve, para të cilat kanë shërbyer si burim për blerjen e dy apartamenteve me vlerë 6,500,000 lekë.

Gjatë periudhës deklaruese, subjekti ka histori me huadhënie dhe huamarrje, konkretisht në deklarimin e vitit 2004 deklaron që ka dhënë hua shumën 500,000 lekë, ndërsa në vitin 2011 ka marrë hua shumën 50,000 euro për blerjen e një banese +garazhi në komunën Farkë të Tiranës.

(BalkanWeb)

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull