Teatri Kombëtar hap nesër në mbrëmje sezonin artistik me komedinë satirike “Ferma e kafshëve”. Kryevepra e George Orwell vjen me regji nga Driada Dervishi, në amfiteatrin e liqenit të Tiranës. Në role janë aktorët Neritan Liçaj, Hervin Çuli, Erjona Kakeli, Florian Agalliu, Anila Bisha, Donald Shehu, Niada Saliasi, Dori Caushi, Xhuliano Brisku dhe Urim Aliaj. Vepra është përkthyer nga Sokol Çunga, muzika dhe efektet Bojken Lako e Mia Lako. Skenografia nga Ergys Krisiko, kostumografia Berina Kokona, koreograf Robert Nuha, vocal coach Mia Lako. Një nga alegoritë politike më të njohura të shekullit të njëzet, “Ferma e kafshëve” na shpie në botën politike të pas revolucionit, ku çliruesit bëhen shtypës dhe të shtypurit përfundojnë në makinën grirëse të historisë.
Vepra nën regjinë e Driada Dervishit, që vjen si premierë absolute në datat 10, 12, 13, 14, 15 korrik shfaqet në ora 21:00 për publikun. Si regjisore Dervishi ka vënë shfaqje të ndryshme në skenat teatrore, ku nuk kanë munguar dhe vlerësimet në festivale. George Orwell lindi më 25 qershor 1903 në Indi në fshatin Motihari afër kufirit me Nepalin dhe vdiq me 21 janar 1950 në Londër. Gorge Orwell ka shkruar 9 libra, dy përmbledhje me ese të shkurtra dhe disa qindra recensione dhe shkrime të tjera që përbëjnë artikuj të gazetarisë. George Orwell pas shërbimit në Policinë Perandorake Indiane, ai kthehet në Europë dhe fillon të shkruajë novela dhe ese. Orwell njihet si një shkrimtar politik, me një penë të mprehtë, i cili mbeti deri në fund një kundërshtar fortë i totalitarizmit.
“Ferma e kafshëve” është vepra që i dha famë botërore, edhe pse fillimisht hasi pengesa në botimin e saj. Një tjetër roman i jashtëzakonshëm i profecisë politike, është romani “1984” batuta e të cilit “Big brother is watching you”( Vëllai i madh po të vëzhgon) është kthyer në një përdorim të zakonshëm i gjuhës sonë të përditshme.