Pubikohet letra e panjohur e Vasil Llazarit, një nga komunistët e parë të qytetit të Shkodrës, ish-shoku i klasës i Qemal Stafës, Vojo Kushit, Emin Durakut, Reshit Rusit, Nazmi Rushitit, etj., gjatë periudhës që ata studjionin në gjimnazin klasik të atij qytetit, i cili ia dërgon atë Profesor Skënder Luarasit, mësuesit të tij të asaj shkolle, me rastin e 60 vjetorit lindjes, në vitin 1960. Letra e plotë e Vasil Llazarit për profesorin e famshëm, i cili pasi kujton disa nga shokët e klasës që nuk ishin më midis tyre, pasi ishin vrarë gjatë periudhës së Luftës Antifashiste dhe ishin shpallur ‘Dëshmorë të Atdheut’ apo ‘Heronj të Popullit’, ai i kujton ish-mësuesit të tij momente të ndryshme nga jeta e tij dhe mbresa të shumta nga ajo kohë e kaluar, kur ata ishin nxënës të tij në bankat e asaj shkolle dhe ai i nxiti të përqafonin idetë komuniste e të merrnin pjesë në Luftën Antifashiste, e në fund duke e falenderuar për gjithçka ai bëri për ta!
“Shembulli juej më forcoi bindjet në drejtësinë e çështjes, na mbushi zemrat me një dashni e respekt të madh ndaj Jush dhe na tregoi rrugën që duhej ndjekë. Si ato kohë na nuk lejshim Radio pa provue, për të marrë Barcelonën dhe Madridin, për të ndigjue zënin e Profesorit tonë të dashtun. Dhe fati i Spanjës aso kohe u lidh ngushtë me fatin e Profesorit tonë të shtrenjtë. Na kërkojshim me dijtë sa më shumë për Spanjën, por njëkohësisht edhe për Profesorin tonë. Unë përmenda vetëm dy episode nga jeta juaj 60 vjeçare, dy perjudha shumë të shkurtra të jetës suaj shumë të pasun kushtue krejtësisht Atdheut e Popullit, edukimit të brezit të ri. Por si këto keni edhe shumë të tjera me “kolorin” e jetës suaj të kalueme dhe në çlirimin e vendit. Mjafton të them se Ju, me zellin tuej dhe mjeshtëria e shprehjes, që Ju buron nga shpirti natyrshëm, si llavë vullkani, na bëtë të gjithëve, nxanës tuej, jo vetëm të dashurojmë letërsinë por edhe të merremi me të, kush më shumë e kush ma pak. U bamë, si të theush, të gjithë “letrarë”, jo të gjithë të kalibrit të letrarëve t’afirmuem”, por së paku diletantë. Unë e diej i dashtuni dhe shumë i nderuemi Profesor, se Ju nuk ju pëlqejnë lëvdatat e nderimet, edhe atëhere kur këto i keni të meritueme qind për qind. Por, së paku kësaj radhë do të na falni që në rastin e 60-vjetorit tuej të ju rikujtoj”.
Kështu thuhet në mes të tjerash në letrën që Vasil Llazari nga qyteti i Shkodrës, ia dërgonte ish-mësuesit të tij, Prof. Skënder Luarasit, në vitin 1960, me rastin e 60-vjetorit të lindjes së tij. Në shikim të parë kjo letër nuk ka ndonjë gjë të veçantë, por e veçanta e saj është ana njerëzore dhe mirënjohja e një nxënësi për ish-mësuesin e tij dhe për këtë arsye u shtymë ta botojmë të plotë atë në Memorie.al.
Letra e Vasil Llazarit, për ish-mësuesin e tij, Prof. Luarasin
Fort i dashtuni Profesor
Nga shtypi i djeshëm mora vesh për kremtimin e 60 vjetorit tuej, për mbledhjen e organizueme për nder tuej dhe dekoratën që Ju ishte dhanë nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, ‘Urdhni i Flamurit’, nji nga dekoratat ma të randësishme të shtetit tonë.
Me gjithë që asht pak e “mërzitshme” me t’urue kush për “mote që kanë kalue”, për “moshën që shkon nga pleqnia”, për “pranvera që nuk kthehen ma”, por kur këto “mote, vjet dhe pranëvera” kanë kalue në shërbim të nji Ideali të Naltë, për të mirën e Popullit, Atdheut dhe njerëzimit, ashtu siç i keni kalue Ju, i dashtuni Profesor, mësuesi dhe edukuesi i shtrenjtë i nji breznije Heronjsh e Luftëtarësh të Pavdekshëm, si Qemal Stafa, Vojo Kushi, Emin Duraku, Nazmi Rushiti e qindra qindra shokësh tjerë që sot janë si udhëheqje të Partisë e të Pushtetit, atëhere nuk të vjen keq për moshën, nuk të dhimbset jeta e kalueme, nuk të vjen keq për pranëverat që nuk kthehen ma!
“Nuk po i përmendi të tjerat merita dhe shërbime që i keni sjellë Atdheut e Popullit, por mjafton kontributi Juaj si mësues, edukator dhe militant i Idealeve të mëdha patriotike gjatë kohës që ishe mësues në Gjimnazin e Shkodrës, edukues i Qemalit, Vojos, Eminit, Reshitit dhe i sa e sa shokëve tjerë që nuk kursyen as jetën për Atdheun e Socializmin ose që sot drejtojnë dhe punojnë me vetëmohim për ngritjen e socializmit në vendin tonë, me ndershmëri, me koshiencë, me vetëmohim e guxim ashtu siç i mësuat Ju, në bankat e shkollës dhe jashtë saj, mësuesi ynë i nderuam dhe shumë i dashtun.
Ju në kohën e erësisë e të dhunës, të shtypjes e të fanatizmit mesjetar të regjimit gjakator zogolljan me shembullin tuaj, me fjalën tuaj të zjarrtë si flaka e të vërtetës që djegë e përcëllon, nxit një shumicë të madhe nxënësish të Gjimnazit tonë për të përqafue idetë e reja komuniste. Ju na mësuat me e dashtë Atdheun në një mënyrë të re, krejt të ndryshme nga sa mësojshin të tjerët, pikërisht ashtu siç na mëson sot Partia jonë e dashtun. Ju na mësuat me e dashtë e respektue Popullin deri në flijen supreme për të – krejt ndryshoj nga sa flitshin të tjerët dhe pikërisht ashtu siç na mëson sot Partia. Ju na mbushët me guxim, për të thonë e çpallë të vërtetën në çdo rast e kudo, ashtu siç na edukon sot Partia.
Ju nxorrët Qemal Stafën para klasës ta lexonte hartimin e tij
Ju na hapët dyert e thesareve të paçmueshme të letërsisë botërore, Ju na njoftët me Shilerin, Shekspirin, Gorkin, Gëten dhe kolosët e mëdhenj të pendës, tue na i recitue me dufin tuej të pameritueshëm pjesë nga shkrimet e tyne. Ju e nxitët, udhëzimet, ndikimet dhe na i dhatë mundësi t’a lexonte në klasë hartimin e njoftun “E vjetra po shembet, nga gërmadhat po lind një jetë e re”, të paharrueshme nxënësit tuaj Qemalit dhe shokëve të tij.
Ju kur i batë këto nuk muerrët parasysh as persekutimet, pozitën, vuejtjet dhe konseguencat tjera që mund të vijshin nga këto veprime shumë të guximshme nga të gjitha anët: nga regjimi mbrapanike e terrorist zogollian, nga errësira mesjetare e klerit katolik, nga ambienti mbrapanik i klikave në fuqi, nga fanatizmi anadollak që në Shkodër ose këtë kishte rrënjë shumë të thella.
Orët tueja të mësimit, kontaktet me Ju jashtë shkollës dhe qëndrimi Juej për gjithë kohën që ishin mësuesi ynë kanë qenë për ne burim frymëzimi, akte të mëdha edukimi, gëzimi dhe kënaqsije. Jo vetëm sot, që kanë kalue sa vjet prej asaj kohe, por edhe atëhere këto lejshin mbresa të thella në shpirtin tonë, kur ndërgjegjet tona ishin porsa në formim e sipër, në moshën e rinisë sonë të parë.
Shumë i nderuemi Profesor yni, si unë ashtu edhe të gjithë shokët e mij, jemi krenar dhe shumë fat shumë që ju kemi pasë Ju edukator n’atë moshë, sepse kush e di, ndoshta ndryshoj do t’ishte në krye formacioni ynë shpirtnor, karakteri ynë, botë-kuptimi ynë.
Prandaj Ju falenderoj dhe jam mirënjohës deri në vdekje për atë që keni ba për ne të gjithë. Pra ju nuk u ndalët për gjysëm në rrugët tuej edukuese, patriotike, thellësisht njerëzore. Ju nuk u mjaftuat vetëm me predikime, me fjalë dhe nxitje, por ç’është kryesorja dhatë vetë shembullin e gjallë i pari, tue lidhë në harmoni të plotë fjalët me veprat.
Të dëgjuam nga Radio-Madridi
Ju, protagonist i flaktë i ideve njerëzore, patriotike, antifashiste dhe antiimperialiste, ju adhurues i së mirës, të bukurës dhe së resë përparimtare, i pari flamurtar dhe luftëtar aktiv i këtyne idealeve të mëdha të njerëzimit, tue shkue me luftue në Spanjën heroike, aty ku mbroheshin vlerat e mëdha të njerëzimit, ku mbrohej nderi e përparimi, ku mbrohej edhe jeta e pamvarësia e atdheut tonë të dashtun. Shembulli Juej vlejti më shumë se tona.
Shembulli juej më forcoi bindjet në drejtësinë e çështjes, na mbushi zemrat me një dashuni e respekt të madh ndaj Jush dhe na tregoi rrugën që duhej ndjekë. Si ato kohë na nuk lejshim Radio pa provue, për të marrë Barcelonën dhe Madridin, për të ndigjue zënin e Profesorit tonë të dashtun. Dhe fati i Spanjës aso kohe u lidh ngusht me fatin e Profesorit tonë të shtrenjtë. Na kërkojshim me dijtë sa më shumë për Spanjën, por njëkohësisht edhe për Profesorin tonë.
Unë përmenda vetëm dy episode nga jeta juaj 60 vjeçare, dy perjudha shumë të shkurtra të jetës suaj shumë të pasun kushtue krejtësisht Atdheut e Popullit, edukimit të brezit të ri. Por si këto keni edhe shumë të tjera me “kolorin” e jetës suaj të kalueme dhe në çlirimin e vendit. Mjafton të them se Ju, me zellin tuej dhe mjeshtëria e shprehjes, që
Ju buron nga shpirti natyrshëm, si llavë vullkani, na bëtë të gjithëve, nxanës tuej, jo vetëm të dashurojmë letërsinë por edhe të merremi me të, kush më shumë e kush ma pak. U bamë, si të theush, të gjithë “letrarë”, jo të gjithë të kalibrit të letrarëve t’afirmuem”, por së paku diletantë. Unë e diej i dashtuni dhe shumë i nderuemi Profesor, se Ju nuk ju pëlqejnë lëvdatat e nderimet, edhe atëhere kur këto i keni të meritueme qind për qind.
Por, së paku kësaj rradhe do të na falni që në rastin e 60-vjetorit tuej të ju rikujtoj të vërtetat që unë gjithmonë i kam thanë, por me ju nuk më ka rastisë të bisedoj. E fillova me punë të moshës dhe po e përfundoj me të. Ju vetë I shtrenjti Profesor, na keni mësues se njeriu mund të jetojë edhe njiqind vjet por kur nuk punon si duhet këto vjet i kalojnë më kot ndërsa të tjerët jetojnë gjysmën e tij, por e kanë jetën plot me vepra fisnike, kanë nji jetë të pasur, të jetueme si duhet për Atdhe e Popull.
Ju mund të jeni krenar dhe i lumtur se puna juej u kurorëzue me sukses, dita për të cilën punuet e vuejtët, andrrat e mendimet jo vetëm që erdhi dhe na e bukur se sa mund ta imagjinojshi, por edhe ma shpejt se sa e pritshit, 15 vjet ma parë.
U edukuam siç deshët ju
Dhe breznija që ju edukuet u rrit ashtu siç dojshit ju. Ju gëzoheni sepse, megjithë moshën e vuejtjet, një pranverë e re ka thyer në shpirtin tuej, asht pranvera për të cilën punuet e dhanë jetën Qemali me shokë, nxënësit tuej. Dhe për ma tepër, Ju po jetoni në një shoqëri ku puna dhe jeta juej jo vetëm se dihet e njihet por edhe çmohet e nderohet. Ky besoj, jam i bindur, për ma tepër, se asht satisfaksioni ma i madh në jetën tuej.
Ju e keni meritue dhe e meritoni plotësosht këtë satisfaksion të ligjshëm. Dhe sa për moshën, nuk Ju e them për të ju ba qejfin, por ju as që dukeni fare se keni vjet. Unë vetëm nga gazeta e mësova, se përndryshe as që nuk do t’ishe kujtue, megjithë pa edhe unë i dashtun Profesor, i kalova të katërdhjetat.
Po ju gjithnjë më dukeni, i dashtuni Profesor, ai që keni qenë gjithmonë, i ri në zemër e në shpirt, energjik, plot entuziazëm e hov rinor, gati për çdo sakrificë e punë për të mirën e atdheut, popullit e socializmit. Ju uroj t’ arrini të 100-vjetët na po këtë cilësi dhe gjithmonë të shihni mirë e mbarë në familjen tuej, në fëmijët tuej, në popullin tuej që po aq fort e doni, në shoqëri dhe në të gjithë njerëzit me vullnet të mirë.
Ju përqafoj me respekt e dashuni.
Ish nxënësi Juej që nuk ju harron kurrë dhe do t’ju jetë gjithmonë mirënjohës. Memorie.al
Vasil Llazari