Detaje të reja dalin në dritë nga dosja e SPAK për tenderin e uniformave në Policinë e Shtetit, ku duket se ka pasur përplasje mes drejtorit të përgjithshëm Ardi Veliu dhe Agjensisë së Blerjeve të Përqendruara.
Sipas dosjes së siguruar nga Fax News, Veliu ka thënë se ka disa elementë të zbatimit të kontratës që duheshin riparë, pasi do të kishin ndikim në fondin limit në të ardhmen.
“Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në shkresën e datës 8 Gusht i është drejtuar Agjensisë së Blerjeve të Përqendruara, të cilës i ngre problematika në lidhje me disa elementë të zbatimit të kontratës, konkretisht përsa i përket dorëzimit të mallit, sasitë e pritshme, pajisjet e sistemit elektronik të shpërndarjes, mirëmbajtjes së sistemit elektronik dhe çmimet e ofertuara.
Sipas shkresës së Veliut janë ofertuar tre çmime të ndryshme për të njëjtin artikull, që ka vetëm një specifikim teknik.
Për disa artikuj çmimi i ofruar është më i ulët, gati nën kosto. Ekziston një mospërputhje mes logjikës së prodhimit dhe çmimit të ofruar, si në rastin kur këmisha me mëngë të gjatë kushton më pak se këmisha me mëngë të shkurtra, këmisha për meshkuj kushton më shumë se këmisha për femra.
Për këtë arsye thuhet në shkresën e Veliut, prania e këtyre çmimeve është rrisk për cilësinë e produktit, dhe do të ndikojë në llogaritjen e fondit limit në të ardhmen, sepse përvojat e mëparshme ndikojnë në vlerën e kontratës”, thuhet në dosjen e SPAK.
Ndërkohë që në përgjigjen e kthyer nga Agjensia e Blerjeve të Përqendruara thuhet se tashmë përgjegjësia për kontratën nuk ishte më e policisë, e cila i kishte mbaruar detyrat e saj. Në këtë mënyrë duket se Veliu shpëton nga përgjegjësia ligjore për tenderin, dhe të arrestuarit janë vetëm zyrtarë të ministrisë së brendshme.