Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara të enjten akuzoi një prokurore të punësuar nga qeveria kineze për udhëtim në ShBA për të drejtuar një fushatë frikësimi me qëllim për t’i bindur banorët kinezë që të kthehen në atdhe për t’u përballur me akuza.
Tu Lan, 50 vjeçe, e cila ka shërbyer si prokurore në Prokurorinë Popullore të Hanyangut, është e pandehura e fundit në hetimet që kanë çuar në akuza kundër nëntë personave të akuzuar për pjesëmarrje në një operacion të fshehtë për të kryer vëzhgime, frikësime dhe për t’i detyruar kinezët që jetojnë në Shtetet e Bashkuara për t’u kthyer në Kinë përmes një plani të riatdhesimit, të njohur si “Operacioni Gjahu i Dhelprës”.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Zhao Lijian, tha të premten se Shtetet e Bashkuara po i përgojojnë përpjekjet e vendit të tij për t’i ndjekur penalisht të dyshuarit për krime që ndodhen jashtë shtetit, shkruan Reuters.
Tu Lan dhe një i pandehur tjetër, Zhai Yongqiang, janë të fundit që akuzohen në një aktakuzë që po trajtohet në Nju Jork. Lan gjithashtu akuzohet për dhënien e urdhrit ndaj një bashkëpunuesi për të shkatërruar dëshmi dhe për t’i penguar hetimet.
Në aktakuzë thuhet se Tu Lan kishte udhëtuar nga Kina në New Jersey për të ofruar ndihmë që të mbikëqyrej operacioni, ku ajo më vonë u takua me bashkëpunëtorë të tjerë dhe i udhëzoi ata për të kryer spiunim në një rast.