Platforma e artit bashkëkohor “Harabel” në bashkëpunim me ambasadën italiane në Tiranë, prezantoi ekspozitën “I VEGGENTI”. Ekspozita është nga artistët Patrick Tuttofuoco dhe Andrea Anastasio, kuruar nga Davide Quadrio dhe Ajola Xoxa, krijuar nga Arthub me koordinimin e Francesca Bonomo nga shoqata “Capo d’Arte”. Në materialin rreth ekspozitës, thuhet se duke ardhur prej brezash dhe praktikash artistike të ndryshme, Tuttofuoco dhe Anastasio kanë pranuar ftesën për të punuar më vete, por njëkohësisht së bashku, në një projekt specifik në Tiranë, në të cilin reflektimi mbi kulturën dhe historinë e ndërlikuar të Shqipërisë do të mund të takohet me ndjeshmërinë e tyre artistike. Ekspozita “I VEGGENTI” është pritur shumë nga ambasadori i Italisë në Shqipëri, z Fabrizio Bucci, që sipas tij ky projekt vendos një bashkëpunim të ri në artin bashkëkohor midis dy vendeve.
“Një rrugëtim zbulimi, krijimtarie dhe bashkëndarjeje, sjellë në Shqipëri nga dy artistë të mëdhenj italianë”, tha ambasadori Bucci. Ajola Xoxa, një nga themeluesit e “Harabel” dhe bashkëkuratore e ekspozitës, shprehet se “Harabel” e konsideron “I VEGGENTI” jo vetëm si një mundësi për të prezantuar para publikut shqiptar mendimin artistik provokues dhe ironik, të sjellë nga artistët Patrick Tuttofuoco dhe Andrea Anastasio përmes një ekspozite të ngritur në një vilë të vjetër, që shërbeu si shtëpi e nomenklaturës komuniste para vitit 1991, por edhe një ndërhyrje të freskët dhe tunduese në qytet, që do të lërë pas jehonën e saj përmes dy instalimeve të artit publik, të cilat do të ekspozohen përgjithmonë.
Në vilën e vjetër në rrugën “Ibrahim Rugova” ku mbahet ekspozita, vizitori do ta gjejë veten në një itinerar që së pari do ta çojë atë të drejt takimit me tri vepra të Tuttofuoco-s dhe dy të Anastasio-s në katin e parë. Në katin e sipërm të vilës gjenden punime që pasqyrojnë drejtpërdrejt kërkimet e përbashkëta të artistëve mbi historinë dhe kulturën shqiptare. Ekspozita do të qëndrojë deri më 15 shtator.