Në Tiranë, diplomatët perëndimorë u bënë thirrje autoriteteve shqiptare të sistemit të drejtësisë, që të arrijnë më shumë rezultate pas reformimit të thellë të kësaj fushe.
Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, dhe ambasadori europian, Lugi Soreca, i kërkuan sistemit gjyqësor më shumë qëndrueshmëri, pavarësi dhe integritet.
Një ditë më parë, në 5-vjetorin e nisjes së reformës në drejtësi, Instituti i Studimeve Politike publikoi në studim, sipas të cilit rezultatet e kësaj reforme vlerësohen si të vonuara dhe të pjesshme.
Diplomatët perëndimorë theksuan sot reformimi i drejtësisë shqiptare u mbështet fort nga ndërkombëtarët, por ajo u bë për qytetarët shqiptarë dhe duhet t’u shërbejë atyre, duke përmbushur pritshmritë e larta të tyre.
Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, tha gjatë një takimi në 5-vjetorin e reformës në drejtësi, se pas këtij fillimi të mbarë, nevojiten më shumë rezultate për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë ndaj shkelësve të ligjit.
Ambasadorja Kim tha se pritshmëria dhe besimi i qytetarëve tek institucionet e reja të drejtësisë është shumë i lartë, ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve iu mbetet të kryejnë detyrat ligjore me integritet dhe saktësi profesionale.
“Tani është koha që ju të nisni një epokë të re në Shqipëri, të krijoni një sistem në të cilin një person normal ka shpresë se do të ketë mundësi të barabarta në jetë, se shqetësimet e tyre, kërkesa e tyre për drejtësi merret në konsideratë po aq sa kërkesa, e drejtë apo jo, e personave të fuqishëm. Ky është një fillim i mirë, keni bërë përparim të mirë. Por duhet bërë më shumë” – tha ambasadorja Kim.
Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, tha në tryezën e rrumbullakët me drejtuesit i institucioneve shqiptare të drejtësisë se Shtetet e Bashkuara i mbështesin ata dhe janë gjithmonë përkrah tyre.
“Shqipëria ka bërë përparim të jashtëzakonshëm drejt Reformës në Drejtësi që qytetarët e saj kërkojnë dhe ne po shohim rezultatet e atyre përpjekjeve. Të gjitha institucionet e ngritura nga Reforma në Drejtësi në 2016 janë tashmë plotësisht funksionale. Askush nuk është mbi ligjin dhe është në dorën e institucioneve shqiptare të drejtësisë, është në dorën tuaj ta vërtetoni këtë” – tha ajo.
Diplomatët perëndimorë renditën si arritje të viteve të para të reformës heqjen e gjyqtarëve të korruptuar, dënimin e prokurorëve të niveleve të larta, arrestimet e politikanëve, policëve dhe kriminelëve të krimit të organizuar.
Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca, tha se reforma në drejtësi nisi një epokë të re për shtetin e të drejtës dhe për një Shqipëri europiane dhe moderne.
“Zbatimi i reformës në praktikë ka qenë i vështirë, sepse është luftë kundër mosndëshkimit, për të rifituar besimin e publikut dhe luftë për të rivendosur integritetin si një vlerë thelbësore. Një zbatim efektiv kërkon ndjekje, përkushtim, angazhim dhe dialog të shtuar. Kërkon forcë, ndonjëherë pragmatizëm. Kërkon qëndrueshmëri, kompetencë dhe udhëheqje” – tha zoti Soreca.
Ai theksoi se reforma në drejtësi mbetet një nga përparësitë kryesore për BE-në, që ta afrojë Shqipërinë më pranë vetes, dhe se reforma në drejtësi ka kontribuar shumë për hapjen e një dere tjetër vitin e kaluar, me vendimin e hapjes së negociatave.
Burime të pavarura shprehin vlerësime të ndryshme për reformën në drejtësi. Një ditë më parë, në 5-vjetorin e miratimit nga parlamenti të reformës në sistemin e drejtësisë, Instituti i Studimeve Politike publikoi në studim, ku rezultatet e kësaj reforme vlerësohen si të vonuara dhe të pjesshme dhe të pamjaftueshme.
Edhe pse u votua me 140 vota të plota nga parlamenti, forcat politike u bënë pengesa kryesore të reformës në drejtësi, duke shkaktuar shtrembërime e zvarritje të shumta, theksuan autorët e studimit.
Falë angazhimit të SHBA-ve dhe BE-së, reforma nisi me vetingun dhe ndryshoi më shumë se 25 ligje të mëparshme, por ndryshimet kushtetuese dhe ligjore, thuhet në studim, ishin të paqëndrueshme e të hartuara me nxitim, sa u desh të korigjoheshin 15 ligje nga 3-4 herë brenda 2-3 vitesh nga i njëjti parlament.
Për shkak të mbyljes relativisht të gjatë të gjykatave, mbi 50 çështje janë në pritje për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, thuhet në studim, mbi 30 mijë mbeten në pritje në Gjykatën e Lartë dhe 2-3 herë më shumë çështje janë në pritje në nivelet e tjera të gjykatave dhe në prokurori.
Studimi vëren se të gjithë institucionet e reja të sistemit gjyqësor u krijuan ose u zgjodhën jashtë afatit kushtetues dhe ligjor.
Midis 2018-2020 Shqipëria mbeti pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë, midis 2017-2019 u zgjodh një Prokuror i Përgjithshëm i përkohshëm, ndërkohë që institucione si KLP mbetën për një kohë të gjatë pa anëtarë të plotë dhe SPAK u krijua pa numrin e parashikuar të prokurorëve.
Nisja e vetingut u vonua një vit dhe kur nisi, mbi 50% e prokurorëve dhe gjyqtarëve humbën postet e tyre, duke krijuar efekt domino vakancash në të gjitha nivelet e gjyqësorit dhe të drejtësisë, vëren studimi i Institutit të Studimeve Politike./VOA