Dhjetëra qytetarë në protestë përpara ambasadës shqiptare në Prishtinë

2 Minuta Lexim

Pas pozicionimit të hapur të qeverisë dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti kundër projektit Rama-Vuçiç, këtë të hënë në Prishtinë janë organizuar protesta përpara ambasadës së vendit tonë, duke kërkuar nga Shqipëria që të mos bëjë lojën e Serbisë. Protestat janë organizuar nga organizata kosovare “Lëvizja Për Demokraci” dhe dhjetëra qytetarë i janë përgjigjur thirrjes së saj.

“Për ta kundërshtuar nismën e Edi Rames për krijimin e Mini Shengenit, dhe për t’ia rikujtuar Edi Ramës se kush është Vuciçi, lidhjet e tij me Milloshoviqin, Sheshelin dhe disa kriminel serb që kanë kryer masakra në popullatën civile në Kosovë”, shkroi në Facebook, aktivisti dhe drejtori ekzekutiv i Lëvizjes Mexhid Ramusa.

Aktivistët hapën një pankartë përpara godinës së ambasadës ku shkruhej se mes të tjerave “Edi Esat Rama”.

“Edi ‘Esat’ Rama ne nuk e kemi harruar se çfarë gjenocidi ka kryer Serbia mbi popullatën civile në Kosovë në krye me Millosheviqin dhe ministrin e tij Vuçiq! E ardhmja e shtetit tonë është nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jo nga ajo që pretendoni ju ‘Jugosllavia e Re’! Po ta rikujtojmë kush është bashkëpunëtori i juaj Vuçiq dhe çfarë krimi ka kryer mbi popullatën civile në Kosovë!”, ishte slogan kryesor i kësaj proteste.

Javën e kaluar presidenti Serbisë Aleksandër Vuçiç, kryeminstri i Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, i ndryshuan emrin nismën së “Minishengenit Ballkanik” duke e quajtur ‘Ballkani i Hapur’, njësoj si Xhorxh Soros që në vitin 1999.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull