3 persona janë arrestuar në zonën e Lunxhërisë në Gjirokastër, pasi dyshohet se po tentonin të kultivonin rreth 1 mijë bimë kanabisi.
Kanabisi është gjetur në një zonë mjaft të pyllëzuar mbi fshatin Dhoskat, ndërsa 3 personat e arrestuar janë: Agim Piperi, Teki Mino dhe Edmond Këmbaci.
Bimët janë zbuluar në sajë të informacioneve të marra në mënyrë operative nga policia e Gjirokastrës, ku ditët e fundit ka pasur një prani më të madhe të ”shtetit” në terren, për shkak të situatës me zjarret ku janë djegur dhjetra hektarë me pyje e kullota.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, në bazë të informacioneve të siguruara, kanë evidentuar dhe goditur një rast të tentativës së kultivimit të bimëve narkotike.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve arrestuan në flagrancë shtetasit A. P., 38 vjeç, banues në Gjirokastër; T. M., 39 vjeç, banues në Këlcyrë dhe E. K., 47 vjeç, banues në Kuçovë, pasi këta shtetas në bashkëpunim me njeri tjetrin kanë tentuar të kultivojë bimë narkotike në një ambient të hapur, në afërsi të fshtatit Këllëz.