Mjekët e spitalit të Traumës kanë zhvilluar ditën e sotme një protestë në lidhje me arrestimin e dy kolegëve të tyre disa ditë më parë.
Serdi Memini dhe Ervin Sulaj, me profesion mjek dhe anestezist në spitalin e Traumës u arrestuan për korrupsion pasi u kapën nga përgjimet se i kishin marrë një shumë prej 3 mijë euro babait të Fatbardh Dylit, 19-vjeçarit të mbetur të plagosur gjatë masakrës së Velipojës.
Mjekët protestojnë kundër arrestimit të mjekëve dhe mbajtjes në qeli pasi sipas tyre ata mund të hetohen në gjendje të lirë.
Mjekët justifikohen për korrupsionin se problem qëndron tek sistemi dhe jo individi ndaj dhe ata kërkojnë vijimin e reformës së autonomisë spitalore.
“Kryeministri përpara disa ditësh deklaroi që problemi i korrupsionit qëndron te sistemi dhe jo te problem. Nuk është zgjidhje arrestimi i një profesori te ‘Nënë Tereza’ dy vite më parë dhe arrestimi i mjekëve të Traumës përpara disa ditësh.
Zgjidhja është reformë e thellë, dhe jo reform partiake, por reform reale.
Ajo që ka premtuar kryeministri është autonomia spitalore e cila fillimisht po aplikohet në spitalin rajonal të Fierit.
Kanë dhënë njerëzit bakshish dhe do vijojnë të japin, problem është sistemi dhe jo individi”, tha një prej mjekëve të Traumës.