Kur kanë kaluar 6 muaj nga hyrja në fuqi e ligjit për krijimin e regjistrit me llogaritë bankare në Shqipëri, qeveria miratoi në mbledhjen e fundit edhe rregulloren se si do të sigurojnë informacionin institucionet që do të kenë akses.
Sipas vendimit të miratuar, SPAK apo institucionet e tjera do të duhet të dorëzojnë një kërkesë në drejtorine e Përgjithshme të Tatimeve. Kjo e fundit do të gjenerojë një llogari online dhe kodin me të cilin do të futen personat e ngarkuar në institucionet përkatëse. Informacioni do të jetë kryesisht i pafiltruar dhe do të gjenerohet online, por sipas ligjit duhet të mbahet sekret.
Kodet hyrëse nuk mund t’u bëhen të ditur personave të tretë, të ndryshëm nga përdoruesit.
Subjektet që do të kenë akses janë: Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit te Pastrimit të Parave, Prokuroria e juridiksionit të Përgjithshëm, SPAK, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Byroja Kombëtare e Hetimit, Shërbimi Informativ i Shtetit, Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoritë e Taksave dhe Tarifave pranë njësive të vetëqeverisjes vendore dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.
Subjektet e interesuara nuk kanë kufizime në numrin e personave qe mund të autorizohen për të patur akses në regjistër, por kanë kufizime në kategorinë e punonjësve që mund të autorizojnë.
(BalkanWeb)