Moderatorja e njohur, Bora Zemani ka reaguar pas deklaratave të ish-të dashurit të saj, aktorit Donald Veshaj, i cili ka deklaruar se “nuk ka asnjë shans që ata të rikthehen bashkë dhe se Borën e ka dashur njësoj si të tjerat”.
Me anë të një postimi në Instagram, ajo ka shkruar: “Heshtja është më e mirë se të flasësh idiotësira”.
Po çfarë tha Veshaj në emisionin e fundit “Binjakët”, ku iu përgjigj pyetjeve të vëllait Romeo Veshaj, në lidhje me dashurinë e fundit?
Ai me bindje tha se të gjitha të dashurat i ka dashur njësoj, pa i dhënë ndonjë peshë të veçantë historisë me Borën. Ndërkohë që pyetjes së vëllait se a mund të ketë shanse për ndonjë rikthim, ai iu përgjigj në mënyrë absolute jo, madje dhe nëse ajo i lutet.
Më herët gjatë një interviste të dhënë për “Prive”, moderatorja tregoi se ka vendosur të mos thotë më asgjë për ndarjen nga aktori dhe ta jetojë privatësisht, larg vëmendjes mediatike që merr duke qenë pjesë e ekranit.
“Unë nuk kam dashur të flas për jetën time personale dhe kam folur shumë rrallë. Në disa momente më është dashur të jap përgjigje për të shuar kuriozitetin e njerëzve, që janë të interesuar për jetën e personazheve të njohur. Nëse unë do të zgjidhja, do ishte ideale që unë të bëja punën time në televizion dhe kur të dal jashtë punës askush të mos më njohë. Kam folur disa herë dhe tani e kam vendosur që do ta qep gojën përfundimisht, nuk do të them më asgjë për jetën time private”, tha Bora.
Xhelozia është bërë shkak që ata t’i japin fund bashkëjetesës disamujore në Tiranë. Ky vendim erdhi pas një periudhe ndarjesh dhe ribashkimesh të njëpasnjëshme që nga gushti i vitit të kaluar direkt pas zyrtarizimit të lidhjes. Çifti që e zyrtarizoi historinë e tyre, pas karantinës ka pasur disa mosmarrëveshje që i ka çuar në këtë vendim, njohje që filloi gjatë programit “Treshat”.
Sipas miqve të tyre, vështirë të thuhet se këtë herë bëhet fjalë për një zënkë të momentit, pasi edhe kur kanë pasur situata të tilla më parë, ata nuk i kanë fshirë gjurmët e lidhjes së tyre dhe janë rikthyer shpejt te njëri-tjetri. Në fillimet e tyre ata u konsideruan një nga çiftet më të përfolura, për faktin se luanin me idenë që janë më shumë kolegë që shkojnë mirë në televizion, sesa të dashur.