Në homazhet që janë kryer paraditen e sotme në nderim të Uran Kostrecit, kanë folur në një prononcim për mediat disa nga bashkëvuajtësit e tij në burgun famëkeq të Burrelit, Shpëtim Stërmasi dhe Simon Miraka.
Të dy ata kanë ndarë dhimbjen për humbjen e një miku të rrallë si Urani, ndërsa nuk kanë ngurruar kurrsesi të tregojnë disa nga momentet e tyre të përbashkëta në këtë burg, ndërsa vijuan më tej se, për ta ikja e Uran Kostrecit është një humbje e madhe e një miku të rrallë, i cili i bëri ballë cdo lloj presioni dhe burgosjeje.
Shpëtim Stërmasi
“Ka qenë një njeri me zemër të jashtëzakonshme, një njeri që ka vuajtur shumë. E shikonim njëri – tjetrin një herë në muaj, se e mbanin sa e mbanin dhe e fusnin në birucë. Urani u bë kryetar i Partisë Demokratike të Elbasanit dhe unë isha shef komisariati atje dhe i thashë që janë disa elementë që s’ma mbushin syrin, që s’janë krahu jonë. Po hajde të rreshtohen me ne, tha. Në Burrel ishin ato që këta i quanin si më të rrezikshmit, se ata na kanë marrë nga shtëpia dhe na kanë futur në burg. Tre herë më kanë dënuar mua. Regjim makabër. Uran Kostreci, Dom Simon Jubani dhe Pjetër Arbnori kanë qenë tre të jashtëzakonshmit nëpër burgje. Nuk i linin dy muaj pa i futur në birucë, u shpreh në deklaratën e tij pas kryerjes së homazheve, Shpëtim Stërmasi.
Simon Miraka
“Urani erdhi në këtë botë duke qarë si të gjithë ne. Iku duke na përlotur të gjithëve, sepse kemi humbur njeriun e dashur tonin, bashkëvuajtësin tonë, të cilin nuk e mposhti dot as burgu. Ai u burgos fizikisht, por jo shpirti i tij. Urani ka lënë një kujtim të bukur mes nesh. Do të kujtohet gjithmonë me respekt dhe mall. Ndoshta ende ne nuk e dimë se çfarë kemi humbur. Ai ishte një poet, ishte një njeri që predikonte paqen mes nesh, pavarësisht se kishte kaluar dy dekada në burgun e tmerrshëm të Burrelit. Por, ai i qëndroi përballë me krenari, prandaj vdekjet janë të gjitha të hidhura, por edhe hidhërimi dallon nga njëri – tjetri. Ne kemi humbur një mik me shumë vlera. S’më mbetet gjë tjetër veçse të them: Pushoftë ne paqe!”,u shpreh në deklaratën e tij pas kryerjes së homazheve, Simon Miraka.