Kokaina e kapur mes bananeve në Durrës, reagon Policia

3 Minuta Lexim

Policia e Durrësit ka dhënë njoftimin zyrtar në lidhje me kokainën që u zbulua në një kamion me banane në port, e cila sipas burimeve kap një sasi prej 150 kilogramësh.

Policia nuk jep të dhëna sa i takon peshës së kokainës që u sekuestrua, por thotë se ajo ishte e ndarë në 14 pako, dhe kontrollet në kamion janë duke vijuar ende.

Policia thotë se ka shoqëruar dy persona, ndërkohë që bananet ishin porositur nga një firmë shqiptare.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës vijon veprimet hetimore për dokumentimin e plotë kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në të.

Njoftimi i policisë:

Task Forca permanente e përbashkët e përbërë nga Policia Kufitare e Portit të Durrësit, Policia Kriminale e DVP Durrës dhe autoritetet doganore të Portit, evidenton dhe sekuestron deri në këto momente 14 pako me lëndë narkotike të dyshuar kokainë.

Shoqërohen në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës dy persona.

Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale të tentativës për trafikim të drogave të forta, si rezultat i kontrolleve të shtuara, bazuar edhe në analizën e riskut të bërë nga Task Forca permanente e përbërë nga Policia Kufitare e Portit të Durrësit, Policia Kriminale e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe nga autoritetet doganore të Portit, e cila vepron në Portin e Durrësit, në bazë të dyshimeve të krijuara nga kjo Task Forcë dhe informacioneve që dispononte Policia Kriminale, kanë ushtruar kontroll të detajuar në një kontenier të ngarkuar me banane për llogari të një firme në Shqipëri.

Si rezultat i kontrollit të imtësishëm të ushtruar në kontenier, deri tani janë gjetur të fshehura 14 pako të mbushra me lëndë narkotike të dyshuar kokainë. Kontrolli vijon.

Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës kanë shoqëruar dy persona për tu pyetur në lidhje me këtë ngjarje.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës vijon veprimet hetimore për dokumentimin e plotë kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në të.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull