“Nuk garantohet pavarësia”, 5 organizata kundër zgjedhjes së Krasniqit në krye të AMA

4 Minuta Lexim

Pesë organizata pjesëmarrëse në platformën e Reagimit të Shpejtë për Lirinë e Medias deklaruan të martën se janë “thellësisht të shqetësuara” për shkak të zgjedhjes nga parlamenti shqiptar i një bashkëpunëtoreje të ngushtë të Partisë Socialiste në postin e kryetares së bordit të Autoritetit të Medias Audiovizive. Parlamenti i kontrolluar nga socialistët zgjodhi Armela Krasniqin si kryetare të AMA më 7 korrik mes protestave vendëse dhe ndërkombëtare.

“Organizatat tona kanë shqetësime serioze në lidhje me paanësinë e kryetares së re, e cila është një bashkëpunëtore e ngushtë e kryeministrit Edi Rama dhe ka punuar më herët si drejtoreshë komunikimi mes viteve 2013 dhe 2017 për të,” thuhet në deklaratën e firmosur nga organizatat: ARTICLE 19, European Centre for Press and Media Freedom (ECPMF), European Federation of Journalists (EFJ)International Press Institute (IPI) dhe Osservatorio Balcani Caucaso Transeuropa (OBCT).

Sipas organizatave, Krasniqi ka punuar për Partinë Socialiste për pjesën më të madhe të jetës së saj dhe aktualisht drejton agjencinë shtetërore të lajmeve, e cila është akuzuar për anësi politike.

“Udhëheqësia e pavarur e organeve të tilla rregullatore është me rëndësi vendimtare në ruajtjen e besimit të publikut në panoramën mediatike dhe në fuqizimin e standardeve profesionale,” shkruhet në deklaratë.

“Emërimi i një figure partizane me lidhje të vjetra me partinë në pushtet, në mungesë të votave të opozitës në parlament, rrezikon seriozisht të minojë besueshmërinë dhe ligjshmërinë e AMA si dhe besimin e shqiptarëve në ekosistemin e medias,” vijon më tej deklarata.

Votimi i socialistëve në parlament më 7 korrik zgjodhi Krasniqin pavarësisht kundërshtive të shprehura publikisht nga Zyra e Delegacionit Evropian në Tiranë, nga OSBE dhe nga ambasada e Mbretërisë së Bashkuar.

Organizatat theksojnë gjithashtu se qeveria nuk është tërhequr zyrtarisht nga e ashtuquajtura “paketë anti-shpifje”, e cila vijon të jetë në axhendën parlamentare pavarësisht se publikisht kryeministri Edi Rama ka deklaruar tërheqjen prej asaj nisme.

Shqipëria filloi të ndërtojë sistemin demokratik me kufizime dhe balanca në ushtrimin e pushtetit pas miratimit të kushtetutës së vitit 1998. Sistemi në fjalë nënkupton ekzistencën e gjykatave dhe prokurorive të pavarura, si dhe të institucioneve rregullatorë që kontrollojnë tregje sensitive si bankat, sigurimet, media audiovizive apo energjinë.

Në përgjithësi, kriteri i pavarësisë politike është respektuar në mënyrë formale në zgjedhjet e institucioneve të ndryshme të pavarura gjatë dy dekadave të fundit, ndonëse anëtarët e bordeve të tilla njihen dhe perceptohen gjerësisht si njerëz me anësi të qartë politike. Situata duket se është drejt përkeqësimit gjatë viteve të fundit, ku persona me lidhje shumë të ngushta politike janë zgjedhur nga socialistët në pozicione rregullatore, por zgjedhja e Krasniqit në krye të AMA duket se përbën një rekord të ri negativ.

Sipas organizatave, “ka rëndësi thelbësore që kur faza e dytë e procesit përzgjedhës për bordin e AMA të fillojë në shtator, të gjitha partitë politike të veprojnë në përputhje me interesin publik përmes prioritizimit të ekspertizës profesionale dhe pavarësisë përkundrejt besnikërisë partizane kur të zgjedhin kandidatët.”

“Organizatat tona do të vijojnë të monitorojnë situatën nga afër.”

Të martën, në një deklaratë më vete, Reporterët pa Kufi dënuan gjithashtu zgjedhjen e Krasniqit duke e konsideruar atë “arrogancë pushteti”. /BIRN/

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull