Nga Erion DASHO * –
Për të gjetur humbjen e fundit të jetës nga COVID, duhet “udhëtuar” pas në kohë në 26 qershor. Madje dhe në katër javët që paraprinë 26 qershorin, numri i vdekjeve nga COVID ishte 9 të tilla, ku asnjë ditë nuk kishte patur më shumë se 1 humbje jete dhe ditë të tëra e kishin zero këtë parametër tragjik.
Sidoqoftë, situata nuk është pa zile alarmi. Numri i rasteve ditore është rritur ndjeshëm. Gjatë dy javëshit të fundit, numri i rasteve të diagnostikuar ka qenë 248, më shumë se trefishi i dy javëshit paraardhës (74) dhe i atij përpara (69).
Në këto kushte, dy pyetjet më të rëndësishme janë:
》Sa rrezikon Shqipëria?
》Çfarë masash duhen marrë?
Së pari, nuk ka dyshim se në vend qarkullon varianti delta. Fakti që ai nuk po përhapet për të shkaktuar valën e radhës (sikundër po ndodh në pothuajse çdo vend europian) lidhet me imunitetin natyral të grupit që shqiptarët tashmë e kanë arritur. Janë rreth 2 milion shqiptarë që kanë kaluar COVID-in dhe janë imunë kundër tij dhe kjo shifër përbën rreth 72% të krejt popullatës shqiptare. Për paralelizëm vetëm 22% e popullatës kanë marrë dy doza vaksine, ku dihet se pjesa dërrmuese kanë marrë vaksinën CoronaVac, me efektivitet të dyshimtë.
Pra, kemi 72% të popullsisë të imunizuar në rrugë natyrore dhe 22% të imunizuar nërmjet vaksinës.
Për të kuptuar rolin e vaksinës kineze në parandalimin e COVID, mjafton të shohim Kilin. Ky vend ka vaksinuar mbi 73% të popullatës me dy doza (mbi 90% e vaksinave të përdorura janë ato kineze, CoronaVac). Rezultati është një epidemi që nuk ka të ndalur dhe një numër ditor prej dhjetëra vdekjesh, të cilat herë pas here i kalojnë 150 apo 200 humbje jete ditore!
Pra është e qartë se imunizimi i 22% të popullatës me vaksinën kineze nuk ka rol, përderisa nuk ka patur rol as në Kili ku mbulesa vaksinale është disa fish më e lartë se në Shqipëri.
Në se Shqipëria e ka arritur imunitetin e grupit, si shpjegohet rritja e rasteve në dy javët e fundit?
Rritja e rasteve lidhet me rastet e importuara të COVID-it dhe penetrimin e infeksionit midis popullatës prej 20 deri 30% që ende nuk është e imunizuar në mënyrë natyrore. Personat e infektuar që vijnë prej vendeve me përhapje shumë më të lartë të infeksionit se Shqipëria bien në kontakt me personat në “xhepat” e paimunizuar dhe shkaktojnë vatra të infeksionit, si ato që janë shfaqur ditët e fundit.
Sa rrezikojnë këto raste të kthehen në një “valë” të re të sëmundjes?
Kësaj pyetjeje nuk mund t’i jepet një përgjigje përfundimtare, pasi në botë nuk ka asnjë rast të ngjashëm me Shqipërinë që ta ketë arritur imunitetin e grupit në mënyrë natyrore. Për këtë arsye, mund të hidhen vetëm hipoteza.
Fakti që që deri tani virusi delta nuk ka arritur të shkaktojë valë, numri i rasteve ditore shkon në maksimumi në 30-40 dhe përqindja e testeve pozitive luhatet rreth 1%, është shumë pozitiv.
Një shpjegim i mundshëm (madje më i besueshmi për mendimin tim) është se imuniteti natyror i grupit mbron nga përhapja e infeksionit më tepër se imuniteti artificial (nëpërmjet vaksinimit). Ndryshe nuk ka si shpjegohet që vendet europiane janë të gjitha duke përjetuar valë të reja të epidemisë, megjithëse janë të imunizuar nëpërmjet vaksinave, kurse Shqipëria jo.
Sidoqoftë, interpretimi i mësipërm mbetet ende një hipotezë. Derisa kjo hipotezë të vërtetohet ose nga të dhënat epidemiologjike, ose nga ato eksperimentale duhet kujdes në këto drejtime:
》Së pari, disiplinimi i hyrjeve në kufi. Çdo personi që hyn në Shqipëri duhet t’i kërkohet rezultat testi negativ, certifikatë vaksinimi ose certifikatë mjeksore si person që ka kaluar COVID-in.
》Së dyti, menaxhimi i kujdesshëm i rasteve aktive duke garantuar izolimin e pacientëve dhe gjurmimin e kontakteve. Kjo duhet bërë për sa kohë numri i rasteve është akoma i menaxhueshëm (raste aktive janë rreth 250 dhe rastet ditore luhaten midis 30 dhe 40).
》Së treti, garantimi i të paktën një doze të një vaksine të sigurt për të gjithë qytetarët para stinës së virozave 2021-22. Qytetarët nuk i besojnë vaksinës CoronaVac dhe e vetmja mënyrë për të garantuar mbulesë të kënaqshme vaksinale është t’u ofrohen atyre vaksina cilësore si Pfizer, Moderna apo Astra Zeneca.
Shqiptarët sot kanë imunitet natyror ndaj SARS-CoV-2, të fituar me çmimin e dhimbshëm të mbi 15 mijë vdekjeve të shkaktuara nga COVID. Derisa të garantohemi se ky imunitet është afatgjatë dhe ofron mbrojtje ndaj varianteve të virusit, kujdesi duhet të jetë maksimal.
Sidomos disiplinimi i hyrjeve në kufi dhe vaksinimi me vaksina të sigurta para vjeshtës duhet të jenë objektivat madhorë të ministrisë dhe komitetit të ekspertëve.
Koha për veprim është tani!
* Autori është mjek ekspert në shëndetin public, aktualisht shërben në Kompaninë “Partner”, si Drejtor për Shëndetin Dixhital dhe Inovacionet, në Frankfurt të Gjermanisë.