A nuk po e çojnë Ramën drejt Kultit të individit?!

6 Minuta Lexim

Nga Ben ANDONI –

Thelbi i përgjigjeve të kryeministrit të vendit kur pyetet për demokracinë e brendshme në partinë e tij është i drejtpërdrejtë: Kam fituar zgjedhjet dhe nuk mund të gjykohem. Në një kuptim është krejtësisht e drejtë. Njeriu që e çon subjektin e tij politik në fitore nuk ka pse të votëbesohet, nuk ka pse të konkurrojë, nuk ka pse të japë llogari!!! Veçse në demokraci edhe forma tregon shumë.

Pasi e mbaron ose e ezauron këtë lloj pyetjeje me përgjigjen e tij klishe, Rama vazhdon me kritika ndaj njerëzve të tij dhe pastaj vazhdon me spektakularitetin përreth. Vartësit e dëgjojnë dhe mbajnë shënime. Kuptohet se gjërat jo shpesh shkojnë në vendin e duhur. Një ditë është diku jashtë dhe larg vendit dhe pastaj rikthehet brenda pak orëve në një cep të vendit sërish duke këshilluar. I rrethuar nga vartësit, që para kamerave vetëm raportojnë dhe shpjegojnë ndryshimin, sipas këshillave të tij. Droni tashmë bën mrekulli.

Shqipëria e vitit 2021 paçka kritikave të mëdha ka ndryshuar. Shqipëria e ditëve tona të përball me sfida të bukura, me jo pak infrastruktura të ngritura, me jo pak vende me shërbime të mira e të tjera, me njerëz që e kërkojnë ndryshimin, madje edhe me burokratë të sjellshëm …por me një masë gjithnjë e më të madhe që kërkon ikjen. Vetëm se e gjitha mbulohet dhe mbetet kulti i tij. Rama shfaqet ngado duke këshilluar me ministrat e pagojë por arrogantë dhe të largët me publikun e që nuk bëzajnë pas tij dhe krerët e pushtetit lokal, që tashmë janë kërrusur nga sikleti i pritshëm me SPAK-un.

Shumë studime historike të kulteve të personalitetit shprehimisht mbështeten në nocionin e Weber-it për autoritetin karizmatik, shkruajnë te “Cults of personality, preference falsification, and the dictator’s dilema”, Charles Crabtree , Holger L. Kern dhe David A. Siegel. Dhe, duke vazhduar arsyetimin e tyre në mbështetje të idesë së Weber (1968: 212–245) ata bëjnë dallimin midis tre llojeve ideale të dominimit legjitim të liderit: autoriteti racional, duke e nxjerrë legjitimitetin e liderit nga normat juridike të kodifikuara dhe të njohura ndërkombëtarisht; autoriteti tradicional ose patrimonial, i cili bazohet në besimin në shenjtërinë e traditave të lashta; dhe autoritetin karizmatik, bazuar në shenjtërinë e jashtëzakonshme, heroizmin ose karakterin shembullor të një udhëheqësi të vetëm. Autoriteti karizmatik është “i jashtëzakonshëm” – ai shfaqet në kohë krizash sociale, politike, ekonomike, shpirtërore ose fetare (Weber 1968: 241, 1111–1112). Për Weber (1968: 1112), udhëheqësit karizmatikë shihen si “bartës të dhuratave specifike të trupit dhe mendjes” që konsiderohen “të mbinatyrshëm” (në kuptimin që jo të gjithë mund të kenë qasje në to), referojnë studiuesit e lartpërmendur.

Dhe, Rama duhet se e përshfaqi këtë tipar të tretë në momentin më të vështirë të vendit, gjatë tërmetit dhe sidomos me menaxhimin e pandemisë, ku gjithçka kulmoi dhe u justifikua nën autoritetin e tij. Opozita veç kritikave dhe fyerjeve pa sens nuk shpërfaq më ide, kurse vendi ndërkohë pret që institucionet të shërbejnë si të pavarura dhe brenda tagreve të tyre. Kjo nuk ndodh, pasi politikisht, institucionalisht Rama është më shumë se kryeministër, ai ka tagrin të “menaxhojë” gjithçka përballë strukturave që as nuk munden të kundërshtojnë por të tregojnë se janë efikase. Këto të fundit, sëbashku me vetë kryeministrin, nuk po arrijnë të kuptojnë atë që ai e artikulon vetë për propagandë se: është shërbëtor i popullit.

Në fakt, paratë janë të njerëzve, Ju thjesht i menaxhoni ato. Por, ajo që të vjen ndërmend është edhe t’u kujtosh se: duke i menaxhuar paratë mundohuni t’i vini fre Kultit tuaj të Individit, atë që vartësit dhe propaganda e sotme po e ngre në nivele të papara. Veprat në këtë vend, dikur dhe sot; rindërtimi po bëhet me ndihmat, borxhet, kreditë e të huajve dhe paratë e shqiptarëve, që sërish do t’i paguajnë vetë. Kurse drejtimi i Ramës, përmes të përditshmes, na tregon se ai është shteti: ai konstaton, ai shikon, ai kritikon, kurse të tjerët thjesht binden dhe mbajnë shënime. Jo më kot, para tij, Ministrat, Kryepolicët, Diplomatët, Nëpunësit e Lartë etj, janë thjesht dekor që duhet të kontrastojnë me staturën e tij. Ndaj, na e kurseni protagonizmin e pafre dhe kushtojuni më shumë përditmërisë së thjeshtë,… kokulur. Mbi të gjitha, vartësit e tij duhet t’ia kursejnë dhe Ramës këtë përcjellje të detyruar te Kulti i Individit, që duket se po i pëlqen paq.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull