Situatë dramatike në Bashkinë e Selenicës, zjarret rrezikojnë djegien e banesave

2 Minuta Lexim

Situatë dramatike në lagjen e Gjiormit, në zonën e njohur si Neshta, në Bashkinë e Selenicës, ku prej disa orësh, vatrat e zjarrit kanë përfshirë sipërfaqe të tëra pyjesh dhe kullotash.

Ndërkohë nga raportimet mësohet se flakët rrezikojnë djegien e disa banesave, ndërsa banorë të zonës ndodhen në gjendje paniku.

Pavarësisht se janë njoftuar autoritetet e Emergjencave Civile, të paktën deri në orën 10:40 nuk ka pasur asnjë ndërhyrje për shuarjen e flakëve apo për të ndihmuar banorët. Nga raportimet mësohet se tymi ka krijuar probleme shëndetësore te banorë të zonës, veçanërisht moshat e treta, lidhur me frymëmarrjen.

Më herët Ministria e Mbrojtjes njoftoi për 6 vatra aktive zjarri nga Fushë-Arrëzi në Karaburun, ndërkohë që kjo në Bashkinë e Selenicës nuk pvrfshihej.

Situata e zjarreve prej të paktën dy javësh ka rrëzuar propagandën qeveritare lidhur me marrjen e masave apo përballimin e situatave, ndërsa pamjet e shfaqura në ditët e fundit treguan se qoftë punonjësit e emergjencave, ashtu edhe ato të FA-ve, nuk kishin pajisjet e duhura për të përballuar flakët.

Si pasojë e zjarreve, dy ditë më parë humbi jetën një qytetar në Gjirokastër, ndërsa bashkëshortja e tij, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Sipas të dhënave zyrtare, vatrat më të mëdha të zjarrit kanë qenë në Karaburun, ku rrezikohej baza e Pashalimanit, ato në Fushë-Arrëz, ku rrezikohen banesat, në Gjirokastër ku u regjistrua edhe viktima e parë, në rrethinat e Vlorës, por edhe në Shkodër.

Nga autoritetet ende nuk ka një bilanc lidhur me dëmet që janë shkaktuar, ndërkohë që gjatë ditës së premte pritet të mbërrijnë në Shqipëri dy helikopterë dhe 45 forca ushtarake holandeze, në ndihmë të autoriteteve shqiptare, për përballimin e situatës nga zjarret.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull