Një varkë në formën e një violine gjigante, e ndërtuar në nderim të atyre që kanë humbur jetën nga Covid-19, bëri udhëtimin e parë provë në Venecia, të premten, me një violonçeliste që luante në kuvertë.
“Violina e Noas” u krijua gjatë pandemisë nga artisti Livio De Marchi, në bashkëpunim me Konsorciumin e Zhvillimit të Venecias. Artisti, i njohur si Marangozi i Venecias, ka prodhuar shumë skulptura lundruese, përfshirë edhe një Ferrari prej druri.
Një violonçeliste, e veshur me një fustan mbrëmjeje u ul në ‘urën’ e violinës gjatë provës së parë. Varka është e gjatë 12 metër dhe është në gjendje të mbajë mbi vete një ansambël që luan muzikë ndërsa lundron në Kanalin e Madh të qytetit.