Ditën e djeshme është ndarë nga jeta filologu, historiani dhe përkthyesi Jorgji Qirjako. Ai është larguar nga kjo botë në moshën 70-vjeçare. Qirjako ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, veçanërisht në organizimin e Muzeut Historik të Kolonjës, duke e bërë atë një nga muzetë më të pasur me objekte arkeologjike, që nga lashtësia dhe me mjaft vepra të artistëve të njohur, si Odise Paskali, Janaq Paço, Thoma Thomai, Llazar Nikolla, Guri Madhi, Agim Nebiu e shumë të tjerë. Po ashtu, Muzeu i Kulturës Popullore, Muzeu i Arsimit në Rrethin e Kolonjës, si edhe Muzeu i Borovës kanë si hartues projekti zotin Qirjako, i cili, njëkohësisht, ka nxitur dhe mbështetur shumë artistë të shquar të vendit, të ngrenë shumë vepra përkujtimore në rrethin e Kolonjës. Njëkohësisht, Jorgji Qirjako ka një kontribut shumë të madh, si në themelimin e Bibliotekës së Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe të Historisë të Institutit të Studimeve Ndërkombëtare, po ashtu edhe në fushën e përkthimit.
Në shkurt ë këtij viti ai u nderua nga presidenti me Titullin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Në vlerësim të veprës së palodhur e të çmuar si përkthyes veprash politike, shoqërore dhe letërsi artistike dhe të kontributeve të spikatura në ekspeditat arkeologjike, etnografike dhe folklorike në Kolonjë, duke i përfaqësuar me dinjitet dhe lartësuar vlerat e tyre të rrallë në festivale kombëtare dhe ndërkombëtare. Me mirënjohje për evidentimin e traditave atdhetare, kulturës popullore dhe figurave të shquara të historisë sonë kombëtare”. Në fjalën e tij, Meta u shpreh: “Qirjako vjen nga një krahinë me histori të lavdishme dhe të jashtëzakonshme, që ka nxjerrë shumë mendje të ndritura dhe figura të shquara për kombin tonë, si Petro Nini Luarasi, Fan Noli, Shahin Kolonja, motrat Qirjazi, Papa Kristo Negovani, Jani Vreto, Themistokli Gërmenji e shumë të tjerë, të cilët kanë luftuar me penë e me pushkë për mëmëdheun e tyre të dashur dhe janë sakrifikuar. Duke ndjekur traditat më të mira patriotike kolonjare, zoti Qirjako iu përkushtua promovimit të historisë dhe kulturës së vendlindjes së tij, qysh pas përfundimit të universitetit me rezultate të shkëlqyera”.