Filmi dokumentar “Freestyle to Montenegro” për arratisjen e bujshme me not të vitit 1987

4 Minuta Lexim

Filmi dokumentar “Freestyle to Montenegro” i kushtohet ngjarjeve të ndodhur dekada më parë. Me regji nga Ardit Sadiku ky film dokumentar, që shënoi premierën në festivalin “Dokufest” në qytetin e Prizrenit, bën fjalë për Tonin Gjinin që u arratis me not në Malin e Zi para viteve ‘90. Pas premierës në këtë festival, filmi në vijim do të jetë dhe në kinema për publikun. Regjisori Ardit Sadiku thotë se në vitin 1987 ndodhi arratisja, që tregon dhe filmi dokumentar. “Filmi “Freestyle to Montenegro” i vendos ngjarjet kryesisht në qarkun e Shkodrës dhe në Velipojë, ku ka ndodhur arratisja e bujshme e asaj kohe. Bëhet fjalë për Tonin Gjinin, i cili është arratisur me not në Malin e Zi nga deti Adriatik bashkë me shokun e tij Pjerin Gjeka, duke përshkuar 18 kilometra në verën e vitit 1987”, tregon regjisori. Në verën e vitit 1987, Tonin Gjini notoi nga Shqipëria në Mal të Zi, në kërkim të lirisë.

Tre dekada më vonë, ai viziton rishtas vendet dhe rikrijon ngjarjet e asaj përvoje të paharruar. Regjisori Ardit Sadiku thotë se me këtë film të tij i tregon publikut jo vetëm arratisjen drejt lirisë, por dhe çfarë u la pas. “Dua që publiku të shikojë arratisjen e Tonin Gjinit prej 18 kilometrash drejt lirisë nga Shqipëria shtypëse e vitit 1987, dhe ndikimin e qëndrueshëm të veprimit jo vetëm tek vetë Gjini, por edhe tek ata që la pas, në një shtet ku e kaluara mbetet pjesërisht e kontestuar ose e varrosur”, shprehet regjisori, filmi i të cilit u shfaq në “Dokufest”. Regjisori Ardit Sadiku në lidhje me punën me këtë projekt filmi dokumentar tregon dhe se si nisi “Freestyle to Montenegro”. Ai shprehet se gjatë xhirimit të filmit “Ngjitëse”, një nga aktorët i tregoi për ngjarjen e Tonin Gjinit. “Kjo më intrigoi goxha për ta sjellë në një film dokumentar. Pas takimit me zotin Gjini, menjëherë e kuptova që doja ta realizoja projektin dhe dy muaj më vonë nisën xhirimet e filmit “Freestyle to Montenegro”, thotë ai.

Filmi në kinema

Filmi u shfaq më 8 gusht në festivalin “Dokufest”. Një premierë që siç shprehet regjisori Ardit Sadiku shikuesit ishin aktivë. Por ai thotë se për publikun në Shqipëri, filmi do të jetë në vijim në kinema. “Në “Dokufest” filmi im kishte premierën botërore, pra shfaqjen e parë dhe garoi në kategorinë (Balkan Dox Competition). U prit shumë mirë dhe shikuesit ishin shumë aktivë. Tani pres ta shfaq filmin dhe në festivale të tjera ndërkombëtare. Për publikun do të shfaqet në shtator të këtij viti në të gjitha kinematë”, vijon Sadiku. Si regjisor Ardit Sadiku ka realizuar deri tani disa filma.

Por ai thotë se me “Freestyle to Montenegro” puna për realizimin ka qenë njëlloj si me një prodhim artistik. “Metoda e xhirimit ka qenë e njëjtë si të xhiroja një film artistik. Pra nuk kam përdorur materiale arkive ose intervista me pyetje përgjigje, ka ri-inskenime dhe bisedime, që sjellin ngjarjen sa më afër shikuesit”, tregon ai. Ky është filmi i katërt me metrazh të gjatë në aktivitetin e regjisorit Ardit Sadiku, pra tre prodhime artistikë dhe dokumentari “Freestyle to Montenegro”.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull