Kisha e Shën Gjergjit në Berat, KKTKM miraton projekt restaurimi

2 Minuta Lexim

Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale ka miratuar projektin mbi kryerjen e ndërhyrjeve restauruese-konsoliduese në fasadë dhe çatinë e kishës së Shën Gjergjit shekulli XVIII në Berat. Disa ditë më parë ministrja e Kulturës Elva Margariti bënte të ditur se nga gjurmët, që ruhen sot duken muret origjinalë të saj në katin përdhe. “Edhe pse shumë pak ka mbetur nga ndërtimi origjinal, ky objekt është dëshmi edhe disa etapave historike që ka kaluar jo vetëm ky objekt, por edhe vendi ynë dhe se si diktatura shkatërroi objektet e kultit, duke i shndërruar në magazine, pallate sporti apo i shembi. Kjo kishë, në vitet ’80, u transformua në një rezidencë dhe pikë turistike qeveritare dhe si rrjedhojë u shemb pjesa e sipërme e kishës, për të ndërtuar një imitim të shtëpisë karakteristike beratase. Nga gjurmët që ruhen ende sot, duken muret origjinalë në katin përdhe, ku janë përdorur brezat e tullës së kombinuar me gurë”, shprehej Margariti, në një status të saj në Facebook.

Kisha e Shën Gjergjit ndodhet në anën juglindore të kalasë së Beratit dhe aktualisht ruan shumë pak nga ndërtimi i saj origjinal i shek. XVIII. Një nga dëshmitë e para që kemi lidhur me arkitekturën e mëparshme të saj, është një imazh fotografik bardhezi nga agjencia LUCE gjatë viteve ‘40 të shekullit të kaluar. Në të duket se bëhet fjalë për një kishë tipmanastir, të rrethuar me mure prej guri dhe hyrje kryesore nga perëndimi. Një element arkitektonik me rëndësi ishte prezenca e këmbanores me dy vendosje këmbanash në anën perëndimore të monumentit. Kisha, duke iu përshtatur terrenit shquhej për lartësinë dhe madhësinë e saj. Planimetria ishte drejtkëndore dhe në anën perëndimore ndodhej edhe një portik me kolonadë prej guri. Kisha e Shën Gjergjit është pjesë e monumenteve të tjerë të kulturës në Berat me vlera për trashëgiminë tonë kulturore.

 Kisha e Shën Gjergjit në Berat, KKTKM miraton projekt restaurimi

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull