Luana Vjollca ka vite që përflitet për lidhjen e dashurisë me menaxherin e saj dhe biznesmemin nga Kosova, Krenar Çoçajn. Ndonëse shpesh janë fotografuar së bashku, moderatorja shqiptare ka zgjedhur të mos flasë për të, ndërkohë që herë pas here historia e tyre ka pasur ulje-ngritjet e veta.]
Së fundmi kanë qenë miqtë e saj të afërt që kanë dëshmuar për një krizë të re mes çiftit dhe kjo ndodh në prag të ceremonisë së dasmës që kishin planifikuar këtë vjeshtë.
Ndërkohë, dyshimeve që lindën nga këto rrëfime konfidenciale i shtohen edhe disa fakte, që tregojnë se Luana dhe Krenari që prej kohësh bashkëjetojnë në Tiranë, tashmë nuk komunikojnë me njëri-tjetrin.
Në një kërkim të bërë në rrjetet e tyre sociale, shihet qartë se dyshja nuk po e ndjekin më njëri-tjetrin në “Instagram”, i vetmi rrjet social ku nuk postonin foto, por shkëmbenin mesazhe dashurie.
Nuk dihet se ç’do të ndodhë me përgatitjet për dasmën, duke qenë se ata kishin bërë prenotimet për ceremoninë VIP, që do organizonin buzë detit, në Gjirin e Lalzit. Luana ndërkohë do të rikthehet me emision të ri të muajin shtator, por që nuk ka zbuluar detaje nëse bëhet fjalë për “Shiko kush luan”.
Pak kohë më parë, Luana solli projektin e ri muzikor dhe u bë pjesë e “Sony Music”, ndërkohë që po punonte për dasmën në shtator me biznesmenin Krenar Çoçaj. “Një mijë vjet” titullohet kënga e punuar nga Rzon dhe Pëllumb, me melodi e tekst të Yll Limanit, ku Luana shfaqet e veshur me të bardha për t’i paraprirë datës së celebrimit.
Ky projekt riktheu Luanën në muzikë pas thuajse një viti shkëputjeje. Në fakt, kënga u lançua më parë në “Spotify” e më pas në kanalin e “YouTube” të Luanës. Si çdo krijim i Limanit, edhe kjo këngë është një dedikim i ndjerë, këtë herë për të gjithë zemërthyerit. Mirëpo, për t’iu përshtatur edhe sezonit në të cilin jemi dhe që kërkon ritëm, ata e kombinuan fabulën me muzikën ritmike, ideale për ditët e verës.
Videoklipi u realizua në bregdetin shqiptar, me protagoniste Luanën, e cila shfaqej e veshur me të bardha gjatë gjithë klipit dhe me flokë të shkurtër, herë biondë e herë të zinj, teksa shoqërohej edhe nga dy balerina, që dukeshin edhe si shoqërueset e nuses në një festë beqarie. Kjo ishte kënga e parë që Luana publikoi pasi u bë pjesë e “Sony Music”.
E natyrisht pas gjithë këtyre arritjeve fshihej i fejuari i saj, Krenar Çoçaj, me të cilin vendosi të martohej në muajin shtator, por që tani nuk dihet si do të rrjedhin situatat.
Gjithçka ishte bërë me plan nga Luana, pasi kishte vendosur që 30-vjetori do ta gjente me status të ndryshuar. Showgirl-i dhe menaxheri i VIP-ave ishin duke organizuar dasmën e tyre, por një konflikt bëri që plani të prishej sa hap e mbyll sytë.
Që kur lidhja e tyre u bë zyrtare, ata kanë jetuar mes Tiranës dhe Prishtinës, duke gjetur të mesmen e artë për të shijuar dashurinë mes shumë angazhimesh për të qëndruar pranë njëri-tjetrit, ndërkohë që bashkëjetonin në shtëpinë e tyre në Tiranë.