FURTUNA E SHTATORIT

4 Minuta Lexim

Asnjë tender korruptiv me vlerë mbi 500 mijë euro nuk jepet pa dijeninë e Edi Ramës. Asnjë leje ndërtimi për bosët e drogës, asnjë koncesion dhe licencë nuk jepet pa miratimin e Ramës. Në këto rrethana, Edi Rama po luan me dy porta…

Ministra, Deputetë, Kryebashkiakë dhe Drejtorë të korruptuar e me dosje po dridhen. Shpallja e Sali Berishës “non grata” nga SHBA, futja e Ilir Metës në ‘rreth të kuq’, shpartallimi i LSI-së, lehtësia e arrestimit të Fatos Tushes nga SPAK dhe urdhri i Joe Biden për t’i shpallur luftë korrupsionit në Shqipëri, ka krijuar për herë të parë pasiguri tek banda e madhe e hajdutëve me kollare.

Disa ditë më parë, Erion Braçe dha dorëheqjen si zëvendësKryeministër, pasi Rama e kishte lënë për të firmosur të gjitha vendimet korruptive për tjetërsimin e pasurive publike, duke i kaluar në emër të oligarkëve dhe klientëve të Qeverisë. Vendimet e firmosura nga Braçe shënojnë grabitjen më të madhe në historinë e Shqipërisë.

Sot, Rama do të detyrohet që t’i firmosë vetë vendimet për grabitjen e pronave publike. Përflitet se dorëheqje kanë paraqitur edhe disa Drejtorë të rëndësishëm dhe dy Ministra, të cilët urdhërohen nga Rama për t’u kaluar paratë publike klientëve të tij me anë të tenderave korruptivë. Por, dorëheqjet e tyre nuk janë pranuar nga Rama, i cili jashtë çdo dyshimi, është ‘koka mbi kokat’ e korrupsionit në Shqipëri.

Asnjë tender korruptiv me vlerë mbi 500 mijë euro nuk jepet pa dijeninë e Edi Ramës. Asnjë leje ndërtimi për bosët e drogës, asnjë koncesion dhe licencë nuk jepet pa miratimin e Ramës. Në këto rrethana, Edi Rama ‘po luan me dy porta’. Nga njëra anë paraqitet si mbështetës i SPAK-ut për të luftuar korrupsionin e njerëzve të tij, nga ana tjetër ndërmerr nisma konkrete për të sabotuar hetimet e SPAK, me shpresën për të shpëtuar Ministrat, Drejtorët dhe Kryebashkiakët e korruptuar.
Disa javë më parë, Edi Rama paralajmëroi publikisht Ministrat dhe Kryebashkiakët, se do t’i çonte vetë në SPAK nëse vidhnin më tendera. Në fakt mesazhi ishte; Vazhdoni vjedhjen, se pa përvetësimin e parave dhe pasurive publike vështirësohet riciklimi në pushtet.

Në një kohë kur kërcënonte të vetët se do t’i çonte në SPAK, Edi Rama dërgoi një ligj me natyrë mafioze në Kuvend, për të ndaluar SPAK-un që të sekuestrojë pasuritë e paligjshme dhe paratë e pista.
Me anë të këtij ligji, Rama kërkoi që të shpëtonte nga sekuestrimi paratë e pista dhe pasuritë e paligjshme të pushtetarëve dhe bosëve të drogës e prostitucionit, duke vendosur në ligj ndalimin e bllokimit të këtyre pasurive, të kamufluara me kredi bankare apo hua fiktive. Ligji u hodh në kosh të plehrave pas ndërhyrjes së SHBA-ve.

Ditën e djeshme, Rama foli edhe një herë për korrupsionin me tendera dhe vjedhjen e pasurive publike. Ai tha se ishte i shqetësuar se pse SPAK po vonohej me arrestimet. Në këtë kuadër, Rama paralajmëroi miratimin e një ligji special, për të luftuar vetë ai korrupsionin. Pra, ‘koka’ e korrupsionit do të luftojë duart e veta të korrupsionit! Në fakt, deklarata e Ramës ishte një mesazh për bandën e tij që të vijojnë vjedhjet, pasi do të bëjë një tjetër ligj për të penguar arrestimet nga SPAK. Rama u shpreh se “Nuk do presim që SPAK të merret me çdo vatër. Do jemi kërkues, hulumtues dhe grumbullues faktesh dhe provash, duke veshur me armaturë edhe me ligj të veçantë dhe duke mbyllur në një kohë të shpejtë rrethin e shërbimeve digjitale për publikun”./Pamfleti-Titulli vjen i redaktuar nga Arberianews/

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull