Fillimi i fazës së tretë të fiskalizimit pritet të shoqërohet me disa problematika te bizneset e vogla.
Nga 1 shtatori faturimi i ri do të zbatohet nga 90 mijë biznese, kryesisht të vogla. Në total sipas Drejtorisë të Përgjithshme të Tatimeve parashikohen të fiskalizohen 120,000 subjekte (34 mijë e kishin detyrimin për tu fiskalizuar në fazën e dytë, që nisi në 1 korrik).
Shumica e bizneseve të vogla tashmë të familjarizuara me përdorimin e kasës janë shprehur se do të vazhdojnë të përdorin pajisjen fiskale duke e përshtatur për fiskalizimin.
Para nisjes të fiskalizimit të gjitha bizneset duhet të pajisen me certifikatën elektronike të cilën e lëshon AKSHI me një kosto vjetore prej 4,000 lekësh dhe të jenë të regjistruara në portalin Self-Care. Kjo certifikatë u nevojitet tatimpaguesve për të kryer të gjitha llojet e shërbimeve që ofron e-Albania. Deri tani me certifikatën e sigurisë janë pajisur rreth 46, 000 biznese.
Kontabilisti Armand Mala parashikon se te kjo fashë biznesesh do të haset me probleme për pranimin e tyre në portalin SelfCare për shkak të numrit të lartë. “Nga kontaktet që kam me biznesin e vogël, është vënë re se pajisja me certifikatën e sigurisë nga AKSHI nuk është vonuar. Bizneset e vogla gjithashtu ende janë të paqartë se si duhet të veprojnë për përshtatjen e kasës ose nëse do të përdorin zgjidhje software. Me nisjen e procesit shqetësuese për këto subjekte mbetet pjesa e pranimit në portalin SelfCare dhe kalimin e të dhënave në server për shkak të numrit të lartë të bizneseve që do të ndryshojnë mënyrën e faturimit”, tha z. Mala për Monitor.
Për sa i përket përshtatjes së kasave fiskale të kompanisë BNT Electronics, drejtues të saj thanë për Monitor se ecuria e procesit është pozitive, ndërsa janë hasur vonesa për transferimin e të dhënave të bizneseve. Tarifa për përshtatjen e kasës fiskale të kësaj kompani variojnë nga 50 deri në 100 euro.
Bllokimi i sistemit SelfCare (që nga orët e para të mëngjesit) u konstatua edhe me nisjen e fazës së dytë të fiskalizimit me 1 korrik. Mosfunksionimi i sistemit detyroi shumë sipërmarrje që kishin detyrimin të lëshonin fatura elektronike të punonin me metodën e vjetër të faturimit. Problemi më i madh i këtij bllokimi ishte se u pengua aktiviteti i biznesit, pasi blerësit nuk pranuan faturat e pafiskalizuara. Konfuzioni pritet të jetë sërish i pranishëm edhe me nisjen e fazës së tretë të fiskalizimit. Kjo pasi më 31 gusht përfundon edhe afati për përdorimin e dokumentacionit ekzistues tatimor. Kontabilistët më herët rekomanduan shtyrje të këtij afati, pasi shumë biznese të vogla që ende nuk janë fiskalizuar do të detyrohen të punojnë në informalitet ose nga frika e mosnjohjes të faturave të pafiskalizuara të mbyllen.
Kontabilisti Armand Mala pohon se ende vazhdohen të hasen probleme në zbatimin e procesit të fiskalizimit nga bizneset në tërësi, ndërkohë që përgjigjet nga DPT janë formale pa ditur çfarë ndodh në praktike. “Problematika që ngrihet nga bizneset për fiskalizimin në seksionin pyetje-përgjigje në faqen zyrtare të DPT-së është reale, por ato nuk po trajtohen si duhet nga administrata tatimore”, nënvizon Mala.
Kontabilisti Armand Mala thotë se bizneset e fiskalizuara po hasin probleme edhe në shfaqjen e të dhënave në portalin SelfCare për kryerjen e pagesave doganore, ndërkohë që sipas ligjit shlyerja e detyrimeve duhet të deklarohet brenda 3 ditëve.
Në fazën e tretë të fiskalizimit DPT parashikonte përfshirjen e 34 subjekteve nga 51 subjekte që u parashikuan të përfshiheshin në fillim./Monitor