Banorët e Laknasit në zonën e Kamzës janë kundër shpyllëzimit në këtë zonë. Gjatë ditës së sotme, ka pasur përplasje mes banorëve dhe policisë bashkiake pasi ata janë kundër ndërtimit të një thertoreje në zonën e pyllit të si “Plepat e Brukës” dhe kanë protestuar duke mos lejuar punimet.
Sikurse raporton Boldnews banorët shprehen se kompania nuk ka studim për ndikimin në mjedis dhe leja për ndërtim ka skaduar.
Ata shprehen se do ta çojnë çështjen në SPAK dhe nuk do të lejojnë fillimin e punimeve.
“Në SPAK do ta çojmë këtë çështje, nuk ka ndalim. As me ligj, as me forcë nuk do ndalojmë. Po më mbyt fëmijën, po më vret. Ky është pyll dhe ai thotë është zallishte. Si mundesh ti të ndërtosh mbi lumin? Në asnjë vend të botës nuk e prek njeri lumin, por këtu në Shqipëri ndodhin gjëra të çuditshme dhe pa pikë e turpit vjen dhe zgërdhihet. Në SPAK mendoj se do gjejmë zgjidhje,” thotë një banore.
“Kjo gjë ka dy vjet, ne nuk ka njoftuar askush. Nuk na ka pyetur askush. Ne a jetë, a vdekje. Erdhën të fillojnë punimet. Policia është në mbrojtje të hajdutit. Çon lekët ai se ka pare, unë s’kam pare”,shton.
Bëhet fjalë për 1.2 hektarët pyll i dhënë një kompanie private për ndërrimin e një thertoreje. Banorët thonë se do t’i shkojnë deri në fund kësaj çështjeje pasi është ende në proces gjyqësor.
“Në këtë moment nuk ka pengesë, leja është e rregullt. Sepse ne kemi aplikuar për leje dhe na është miratuar,” thotë përfaqësuesi i kompanisë private.
Prej vitesh, banorët e kanë kundërshtuar ndërtimin e këtij biznesi.
Në dhjetor 2020 Gjykata Administrative e Apelit ka vendosur në favor të ngritjes së thertores, vendim ky që indinjoi banorët e Laknasit dhe u bë shkak për nisjen e protestave .
Edhe kryetari i Bashkisë Kamëz, Rakip Suli e vlerësoi si të padrejtë vendimin e Gjykatës, teksa shpjegoi se firma është hedhur pak ditë para se ai të merrte detyrën.