Për Sekretare për Pronarët dhe çështjet e pronave, Basha ka nominuar Ledina Mandian, e cila vjen nga një përvojë e pasur juridike me një fokus të veçantë në këtë fushë. Ndërsa Jonila Godole, një prurje e re në Partinë Demokratike, do të jetë Sekretare për të Përndjekurit Politikë, fushë në të cilën ka një kontribut të madh prej shumë vitesh.
Ekonomia, klima e investimeve dhe marrëdhënia me biznesin mbetet prioriteti kryesor i Partisë Demokratike. Për të qenë sa më pranë biznesit dhe shqetësimeve të tij, Basha ka krijuar Sekretariatin për Klimën e Biznesit për të cilin është propozuar emri i Drejtuesit Politik të Qarkut Kukës, dhe sipërmarrësit Flamur Hoxha.
Garantimi i votës së emigrantëve do të jetë prioritet i PD. Prandaj në funksion të thithjes së ekspertizës, përvojës, mendimit, krijimit të mundësive për të kontribuar për një Shqipëri më të mirë, emigrantët dhe diaspora do të kenë një sekretariat të dedikuar. Ky sekretariat që mishëron prioritetin e Bashës për emigrantët dhe diasporën dhe që krijohet për herë të parë është propozuar të drejtohet nga Belind Kelliçi.
Oriela Nebiaj, që kontributin e saj të parë në PD e ka dhënë si zëdhënëse, për të vijuar si kandidate për kryesimin e FRPD-së dhe së fundmi me rikthimin si kandidate për deputete në Tiranë, do të jetë Sekretare për Organizatat Partnere.
Për Sekretariatin e Burimeve Njerëzore dhe atë të Marrëdhënieve me Publikun janë nominuar dy zonja, Arta Sakja, me një kontribut të gjatë në Partinë Demokratike dhe deputetja e Shkodrës Greta Bardeli.
Për postin e Sekretarit Organizativ, është propozuar z. Ervin Minarolli, ndërkohë që
Sekretar për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore, emri i propozuar është Ivi Kaso.
Për herë të parë krijohet Sekretariati i Koordinimit Elektoral si dhe Sekretariati i Organizimit Dixhital. Për këto dy poste janë nominuar Taulant Zeneli dhe Endri Hasa.