Kabineti i ri qeverisës nuk është pritur mirë nga Arben Malaj, ish-ministër I PS-së.
Nga studio e Top Talk, Malaj tha se tashmë kryeministri po qeveris me pushtet absolute, sipas tij me një formë të “kryeministrisë mbretërore”.
“Qeveria ministrat i ka të ndarë, secili është përgjegjës për fushat e veta, dhe nëse mendohet se mbledhja e qeverisë është thjesht për të noterizuar atë kokë kryeministri, kjo nuk është më qeveri. Pra nuk kemi një qeverisje demokratike, kemi një mbretëri kryeministrore, që bie ndesh me kushtetutën që na konsideron republikë parlamentare.
Forma e qeverisjes së Berishës dhe ajo e Ramës bashkohen në konceptin e pushtetit absolut, se jo e shndërron një republikë parlamentare në një kryeministrore”, tha ai.
Malaj paralajmëroi se do të ketë përplasje në Vlorë, pas zgjedhjes së Arben Ahmetaj zv.kryeministër.
Sipas tij, Rama ka vrarë çdo nerv demokratik dhe tani qeveris me arrogancën e pushtetit absolut.
“Është ajo që më tha një vlonjat duke ardhur këtu, që Ahmetaj është caktuar në Vlorë jo për partinë, po për oligarkinë.
Sepse lufta në Vlorë po bëhet për territore, se kush do menaxhojë hapësirat e reja për portet, modeli i Durrësit apo tjetër, se është e pamundur një qytet aq me shpirt dhe kontribut të menaxhohet nga një mercenar partiak. Tani ai ka zv.kryeministër një njeri që shqiptarët thonë mos e bëj as ministër dhe ti japësh në ngarkim Vlorën, nuk e kam personale me të. Ne qeveri ka shumë dhe nga ata që vetëm tundin kokën, kontributet e mia dihen. Vlora do reagojë se mënyrë të përsëritur. Rama ka hapur gjithnjë sherre në Vlorë.”, tha Malaj.