SHBA janë tërhequr nga Afganistani. Turqia po përpiqet të zerë vendin e amerikanëve si fuqi rajonale, edhe për shkak të interesave të saj. Shumë turq nuk e shohin me sy të mirë afrimin e presidentit Erdogan me talibanët.
Shifrat e Kombeve të Bashkuara e bëjnë të qartë gjendjen dramatike në Afganistan: Sipas ekspertëve të OKB-së, më shumë se 18 milionë afganë kanë nevojë për ndihma humanitare, më shumë se gjysma e popullsisë. Një rol të rëndësishëm merr këtu aeroporti i Kabulit. Pas tërheqjes së trupave ndërkombëtare ai nuk është më në funksionim. Por rivënia e shpejtë në punë e aeroportit është kusht i rëndësishëm për ardhjen e ndihmave në vend. Kjo e bën Turqinë që jetë në fokus të diplomacisë ndërkombëtare.
Ankaraja që nga fillimi i misionit ndërkombëtar të NATO-s në Afganistan, ka qenë prezente me 2000 trupa. Nga qershori 2002 deri në shkurt 2003 dhe nga shkurti 2005 deri në gusht 2005, i gjithë misioni ndërkombëtar me 43 shtete ka qenë nën përgjegjësinë e komandantëve turq. Detyra kryesore e turqve ka qenë sigurimi i aeroportit të Kabulit. Në takimin e NATO-s në qershor, presidenti Erdogan bisedoi me presidentin amerikan, Joe Biden për mbështetjen ushtarake të Ankarasë në Kabul. Atëherë u fol, se Turqia mund të marrë përsipër sigurimin e aeroportit pas tërheqjes së amerikanëve. Aktualisht talibanët po zhvillojnë bisedime me përfaqësuesit turq dhe të Katarit për rivënien në punë të aeroportit.
Por synimet e presidentit turk, nuk duket se do të kufizohen tek aeroporti. “Para se talibanët të merrnin papritur Kabulin, Ankaraja kishte besuar, se mund të përcaktonte rolin e saj të ri në Afganistan”, vëren Kristian Brakel, drejtues i fondacionit Heinrich Böll në Stamboll, gjithmonë në ujdi me zhvillimin e një politike të jashtme gjithnjë e më të pavarur të Ankarasë. Që Turqia është përpjekur të forcojë profilin e saj edhe me Afganistanin u duk në përpjekjen për të kthyer Stambollin në vend të bisedimeve të paqes të talibanëve dhe qeverisë afgane, thotë eksperti për Turqinë. Por kjo nuk u realizua, sepse talibanët refuzuan.
Miratim në NATO
Megjithatë, që Turqia do të luajë në rajon një rol gjithnjë e më të madh, nuk miratohet vetëm nga SHBA në planin ndërkombëtar. Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas (SPD) bëri një vizitë pikërisht këto ditë në Ankara, ku u takua me homologun Mevlut Cavusoglu. Edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e shikon Turqinë të luaj një “rol kyç” në konfliktin në Afganistan.
Angazhimi turk gjen miratim të gjerë, sepse Turqia në këndvështrimin e shumë vëzhguesve perëndimorë si vend me shumicë myslimane, mund të marrë një rol kyç në bisedimet me talibanët. Që kjo duhet parë më rezerva, e tregon deklarata e fundit e zëdhënësit të talibanëve, Sheyl Shaheen. Në një bisedë me BBC ai e kishte bërë të qartë para pak javësh, se “të gjitha fuqitë e huaja të armatosura, porositësit e tyre, këshilltarët, trajnerët” do duhet të tërhiqen nga vendi. Në fund të gushtit në një bisedë në televizioin turk ai tërhiqet, dhe thotë se talibanët kanë interes në një marrëdhënie të mirë me Turqinë. Vendet janë “vëllezër” në besim. Edhe presidenti turk luajti me kartën fetare. Sipas tij nuk ka kontradiktë mes besimit të talibanëve dhe Turqisë, dhe nuk ka në Turqi “asgjë që bie ndesh me besimin e tyre”, sipas Erdoganit.
“Ti je taliban”
Por shumë turke dhe turq nuk mendojnë kështu. Në mediat sociale shumë vetë u shprehën me zemërim pas deklaratës së presidentit. Deklaratat e zëdhënësit të talibanëve morën kundërpërgjigjen përmes një hashtagu #TalibanKardesimDegildir – “Talibanët nuk janë vëllai im.” Edhe presidenti Erdogan u kritikua ashpër, në një stuhi kritikash nën hashtagun #SensinTaliban -“Ti je taliban.”
Mesazhi i qartë: Presidenti gabon. Nuk ka asgjë të përbashkët në fe mes Turqisë dhe talibanëve. Një nga tweetet më të ashpra u shkrua nga aktori dhe regjisori, Ilyas Salman. Sipas tij, po të shohësh atmosferën në vend, veç “një grupi shumë të vogël radikal”, madje dhe përkrahës të presidentit nuk e duan një jetë si në Afganistan.
Megjithë protestat e brendshme, në qarqet qeveritare turke ekziston vullneti për të ndërtuar marrëdhënie solide me pushtetarët e rinj në Afganistan. Nga njëra anë kjo lidhet me frikën e Turqisë nga një emigrim masiv nga Afganistani në drejtim të Turqisë dhe më tej në BE. Këto javë nga frika e një vale refugjatësh, qeveria turke përshpejtoi ngritjen e një muri kufitar me Iranin.
Eksperti Kristian Brakel është i mendimit, se ka edhe një arsye tjetër për këtë ton të ri të Turqisë. Ai mendon, se Ankaraja do të jetë një ndërmjetësuese mes perëndimit dhe Afganistanit, për të latuar “reputacinoin e dëmtuar deri tani në Turqisë në Uashington dhe Bruksel.” Vërtet marrëdhënia e Ankarasë me vendet e NATO-s është e tensionuar. Mjaft vende janë të irrituara, që Turqia do të mbrojë hapësirën e saj ajrore me sistemin e raketave, s-400 nga Rusia. Uashingtoni madje e hoqi Turqinë nga programi i avionëve luftarakë F-35. Edhe debati për masakrën turke ndaj armenëve në Luftën e Parë Botërore i rëndon marrëdhëniet me perëndimin. Presidenti Joe Biden në pranverë të këtij viti e quajti masakrën armene si gjenocid duke shkaktuar një valë proteste në Ankara./DW