Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

PROTESTAT I NISIN IDEALISTËT I PËRVETËSOJNË DINAKËT E REGJUR, PJELLË E POLITIKËS

berisha ne proteste me mediun
Nga Aleksandër ÇIPA –
Protestat që nuk bëjnë të nesërme, janë përdorim vjetërsirash.  Gjithë premtimet e pambajtura, por veçanërisht ato të ricikluara, janë një “taksë” e paheqshme që rëndon në shpirtin e shoqërisë. Kryengritjen ndaj këtyre “taksave”, rëndom e nisin të rinjtë dhe idealistët, (dy kategori të cilave përhershmërisht, ua përvetësojnë mundin dhe kontributin politikanët dhe partitë e “hipotekuara” të tyre).
Kjo kategoria e fundit, (pra politikanët dhe partia e tyre) është në mos varrmihëse e demokracisë, kalbësja apo degraduesja e saj. Fryte-vjelësit e mundit të luftëtarëve, idealistëve dhe kryesisht të rinisë, janë malinjët që mbijetojnë përmes formulës së keqkonsumuar të rotacionit. Këtë formulë e kemi si premtim për rizbatim, “ante-portas”.
Mundimtarët e protestave janë të rinjtë dhe idealistët, të cilët janë e vetmja gjeratore e lëvizjes së shoqërisë. Por lodhja e tyre është qar për dinakët e regjur, ata që në Shqipërinë e këtyre 30 viteve kanë bërë përherë ligj zgjedhor dhe asnjëherë nuk kanë lënë pak shteg ligjor për të renë.
Ndalohet me ligj lindja e Partisë së tretë reale, në këtë vend. E kam fjalën për atë parti që shfaqet si dritëzë në ditët e protestave, si këto të këtyre ditëve, dhe pastaj humbet ose strehohet tek “çadra” e Partisë që ka radhën e riciklimit në rotacionin e përcaktuar. Nën “regjim” të kësaj formule, njeriu shkon jetën, e përcjell atë duke shtuar moshën e vet dhe iluzivisht, shpreson se një revolucion përmbysës për të pandryshueshmin sistem, do të bëjnë bijtë e bijat e ardhshëm, revolucionarë.
Mirëpo, kur rishfaqet me premtim si “djalë i ri, në moshën më të plakur”, me betimin se do të sjellë “pranverën e përmbysjes”, atëhere, “taksa e premtimeve të pambajtura” të pushton rishtazi shpirtin dhe horizontin e jetës tënde të ardhme shoqërore. Në këtë rast, apoteozën e Migjenit “të lindet Njeriu” e sheh, ndien dhe përjeton si të lënë në fuqi, si “një gozhdë të paheqshme nga fati dhe truri” i jetës tënde shoqërore.
Megjithatë, në sedrën dhe mbrothësinë tënde uruese, mirë është të bëhesh bërtitës.
Protesto o njeri, sa të bësh partinë e kohës së re e cila ende s’është! Protesto, deri sa ta përbashkosh atë, domethënë deri sa asaj, as të mos ia marrin e, as të mos ia numërojnë votat, ata që vijnë pasunarë prej “taksës tënde” nga e djeshmja apo nga bota e vjetër e saj!
Protestat që nuk bëjnë të nesërme, janë përdorim vjetërsirash.

Related Posts

Leave a comment