Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

SHBA në alarm për Ballkanin Perëndimor, debate në OKB për Kosovën dhe Serbin, Vuçiç nuk tërhiqet nga mbështetja e Putinit

-800-0-626242d1596cf

Debati për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ditën e djeshme u zhvillua nën një retorikë të ashpër pasi dy ministrat, Donika Gërvalla dhe Nikola Selakoviç paraqitën pikëpamje tërësisht të kundërta mbi zhvillimet e gjashtë muajve të fundit. Gjithashtu Shtetet e Bashkuara u shprehën të shqetësuar mbi situatën në Ballkan nga ndikimet e luftës në Ukrainë. Gërvalla deklaroi se Serbia dhe Rusia paraqesin kërcënimin më të madh për qëndrueshmërinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. “Sulmet po kryhen nga territori i Serbisë dhe ato do të ishin të pamundura nëse presidenti Aleksandër Vuçiç nuk do t’i toleronte ato. Kosova është pjesë e perëndimit, ndërkaq Serbia vazhdon të jetë satelit i Rusisë dhe kjo është arsyeja pse rajoni i Ballkanit Perëndimor vazhdon të jetë i paqëndrueshëm. Armatosja e vazhdueshme të Serbisë bën që të gjitha vendet e rajonit të jenë të kërcënuara. Ulja në dy karrige nuk është më një mundësi. Agresioni rus në Ukrainë i dha fund kësaj epoke”, tha ajo. Ministri serb, Nikola Selakoviç, tha se gjendja në Kosovë është larg normales, ndërsa kritikoi raportin e UNMIK-ut për mospërfshirje të hollësive rreth asaj që ai i quajti, incidente kundër serbëve. “Kjo ishte hera e parë që prej vitit 1999 që qytetarëve serbë iu ndalua marrja pjesë në zgjedhje. Institucionet në Kosovë edhe njëherë demonstruan qasjen e tyre diskriminuese dhe po injorojnë përfaqësuesit e serbëve, po krijojnë ndjenjën e pasigurisë duke nxitur largimin e serbëve nga Kosova”, u shpreh ministri serb. Ai akuzoi Prishtinën për moszbatimin e marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa vuri theksin tek rëndësia e pranisë së UNMIK-ut në Kosovë. Por Ministrja Gërvalla nënvizoi se UNMIK-u nuk luan më rol në jetën e qytetarëve të Kosovës dhe është koha e përmbylljes së punës së tij.

SHBA “ngre zërin” për Kosovën në OKB

“Shtetet e Bashkuara, së bashku me partnerët evropianë, mbeten të përkushtuara për ndërtimin e paqes dhe shoqërive multietnike në Ballkanin Perëndimor”, tha Richard Mills. Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Richard Mills, tha në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së se ky është sesioni i parë për Kosovën që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë, duke theksuar se ndërsa bota dhe Evropa u përgjigjen pasojave të luftës, ruajtja e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor mbetet vendimtare. “Kemi parë foto nga Bucha dhe Mariupol. Ndërsa ata vazhdojnë të mbërrijnë nga Ukraina, asnjë delegacion përgjegjës për krijimin e imazheve të tilla nuk ka besueshmërinë për t’i dhënë një leksion dikujt në Këshillin e Sigurimit për respektimin e të drejtave të njeriut”, tha ambasadori amerikan, si përgjigje ndaj kolegut rus aty. Ndaj, ai u bëri thirrje të dyja palëve(Kosovës dhe Serbisë) që të angazhohen në dialog me BE-në, për të gjetur një zgjidhje, për të zbatuar marrëveshjet ekzistuese dhe për të bërë përparim konkret drejt arritjes së një marrëveshjeje për normalizimin me qëllim të njohjes reciproke. Ai shtoi se dialogu i ndërmjetësuar nga BE është mënyra më e mirë për përparim. Mills tha se Shtetet e Bashkuara mirëpritën përpjekjet e BE për të pritur negociatorët kryesorë të dy vendeve këtë muaj dhe i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të bashkëpunojnë.

Vuçiç asnjë hap pas

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha me bindje të plotë se nuk do të vendosë sanksione ndaj Rusisë pavarësisht presionit ndërkombëtar Në një intervistë për Financial Time, ditën e djeshme ai tha se Beogradi nuk “do të zgjedhë anë” pavarësisht thirrjeve nga Bashkimi Evropian që Serbia, si shtet kandidat për anëtarësim në bllok, të harmonizojë politikat e saj të jashtme me të Brukselit, përfshirë edhe sanksionet ndaj Rusisë dhe presidentit rus, Vladimir Putin. “Ka bisedime për zgjedhje të anëve. Jo, ne e kemi anën tonë, interesat e Serbisë. Nëntëmbëdhjetë shtete të NATO-s na bombarduan ne më 1999 dhe vendosën sanksione ndaj nesh”, tha Vuçiç.  Presidenti nuk beson se sanksionet do të ndryshonin diçka. “Ju mund t’i bëni presion dhe ta detyronin Serbinë, por ky është mendimi ynë”, tha ai. Ndërkaq, Vuçiç po ashtu e pranoi se Serbia po përballet me probleme dhe po paguan “çmim shumë të lartë”, pasi është shteti i vetëm në Evropë që nuk ka vendosur masa kufizuese ndaj Rusisë.

Related Posts

Leave a comment