Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Ngjashmërisht me Shqipërinë/ Pagat si sheikë, administratë joefikase!

superpagat

Edhe pse shkrimi i mëposhtëm flet për mënyrën sesi administrohet Maqedonia e Veriut ngjashmëria me qeverisjen e  Shqipërisë është e aq evidente sa sikur të mos ekzistonin percaktimet të duket se gjithsa i përkiste vendit tonë ku gjithë ajo shpurë zyrtarësh të lartë bëjnë shumë pak punë të dobishme, ose aspak, dhe përfitojnë superpaga e superpensione (pa llogaritur përfitimet e rrjedhura nga aferat korruptive për të cilat vijojmë të jemi në krye të listës). Ndërkohë që pagesat dhe pensionet e pjesës dërmuese të shqiptarëve të thjeshtë janë maksimalisht të ulta dhe garantojnë varfëri.

Në Maqedoninë e Veriut vazhdon të rritet diferenca mes atyre që marrin paga astronomike dhe atyre që mezi mbijetojnë nga pagat minimale. Të jesh drejtor në Maqedoninë e Veriut ia vlen sepse lehtësisht mund të konkurrosh një emigrant që punon në Zvicër apo Gjermani, madje me disa avantazhe ndaj këtyre të fundit.

Pagat e drejtorëve apo anëtarëve të bordeve drejtuese në disa prej ndërmarrjeve publike që janë në varësi të shtetit, variojnë nga 1000 deri në 3000 euro. Nga informacionet publike të kompanive është thuajse e pamundur të zbulohet saktësisht se sa është paga e disa prej drejtorëve.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski paralajmëroi ndryshime në Ligjin për Paga, sepse në disa raste pagat apo shtesat e këtyre zyrtarëve janë më të larta se paga e Presidentit.

“Ka kompani publike në të cilat anëtarët e bordit kanë paga më të larta se Presidenti dhe janë kompani që krijojnë humbje”, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Në gjashtë muajt e ardhshëm do të punohet për Ligjin e ri për Paga. Përkundër të ardhurave të larta buxhetore, disa OJQ vazhdimisht theksojnë arsimimin e ulët të drejtuesve të disa kompanive. Gjithashtu, anëtarët e këshillave drejtues dhe mbikëqyrës zgjidhen kryesisht sipas parimit të lojalitetit partiak e jo në bazë të profesionalizmit.

“6% e drejtorëve dhe 11% e këshillave mbikëqyrës nuk kanë arsim të lartë. Anëtarët e këshillave drejtues dhe mbikëqyrës zgjidhen sipas parimit të lojalitetit partiak dhe kanë kapacitet të dobët për të kontribuar në mënyrë thelbësore në punën e ndërmarrjes publike”, thonë nga Instituti i Demokracisë.

Akoma më shqetësues është fakti se, edhe pse këta persona marrin paga të larta, vitet e fundit administrata është bërë gjithnjë më joefikase.

“Pavarësisht rritjes së administratës publike, produktiviteti ka rënë në mënyrë dramatike prej 13,1 %. Administrata publike duhet të ketë sistem të rreptë apo kritere të rrepta për punësim në të, ku duhet të hyjnë ata që janë më meritorë, por edhe sistemi i pagesave të jetë i shpejtë në bazë të produktivitetit. Ata që janë produktiv duhet të kenë paga më të larta”, deklaroi Bllagica Petreski nga“Finance Think”, transmeton Alsat M.

Reforma e administratës është premtim i pothuajse çdo qeverie. Janë premtuar shkurtime të pagave, shkurtim të numrit të nëpunësve, departizim dhe transferim në sektorin privat.

Leave a comment