Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

NGEC DIXHITAZIMI I SHËNDETËSISË

Rama Manastirliu

Edhe pse projekti i dixhitalizimit spitalor u lançua bujshëm në prill 2021, kartela e pacientit edhe në qendrat spitalore universitare shkruhet ende me dorë, në formate të vjetëruara, që nuk garantojnë as cilësi shërbimi dhe as siguri të pacientit.

Nga Erion DASHO * – 

Prej kohësh kam deklaruar se nga pikëpamja e digjitalizimit, shëndetësia shqiptare i ngjan më tepër epokës së papirusit sesa kohës moderne ku jetojmë.

Projekti i digjitalizimit spitalor i cili u lançua në prill 2021 (pasi ministria harxhoi gati dy vjet kohë për të vlerësuar tre ofertat e paraqitura në tender) nuk ka hedhur as edhe hapat e parë. Në Spitalin e Durrësit, ku tashmë duhej të ishte duke u zbatuar kartela e re elektronike, mjekët as që kanë dëgjuar për këtë projekt.

Por ç’po ndodh paralelisht?

Paguhen shuma të jashtëzakonshme për dy shërbime si sistemi elektronik i referimit dhe sistemi i recetës elektronike, ndërkohë që dje u raportua se këto shërbime nuk punojnë prej një jave!!!

Kur digjitalizon një shërbim, duhet të garantosh disa elementë bazë, si siguria e informacionit, privacia e pacientit, performanca e sistemit, por mbi të gjitha disponueshmërinë.

Disponueshmëria që teknikisht në gjuhën angleze quhet “high availability” garanton se koha pa shërbim (“downtime”) nuk kalon disa orë në vit. Këto të fundit, duhet të jenë si rregull në mesnatë dhe të shfrytëzohen për mirëmbajtje.

Gjatë ditës, duhet të jenë në punë dy sisteme paralele (koncepti “failover”) çka ganton që kur një sistem nuk funksionon, hyn në punë automatikisht sistemi rezervë.

Asgjë e tillë nuk funksionon në Shqipëri!!!

***

Digjitalizimi në radhë të parë do të thotë profesionalizëm.

Kryeministri ynë ka qejf të mburret me ndërfaqet e bukura, por harron se në fushën e digjitalizimit fasada është elementi i fundit dhe jo i pari!

Gjithçka që e-Albania ka bërë deri tani është një amatorizëm i pashoq që më shumë e ka komplikuar sesa e ka lehtësuar jetën e shqiptarëve.

Për të mos përmendur faktin se i ka vendosur në rrezik të dhënat tejet sensitive të miliona qytetarëve shqiptarë.

Në rastin e recetës elektronike, e cila ka javë që nuk funksionon, ka vendosur në rrezik edhe shëndetin dhe jetën e shqiptarëve.

Në çdo vend të botës, ata që kanë konceptuar dhe zbatuar një sistem të tillë do të ishin duke dhënë llogari, do të ishin penalizuar me gjoba milionëshe dhe, me shumë mundësi, do të përgjigjeshin edhe penalisht për këtë katrahurë.

Po në Shqipëri?

A do të mbajë dikush përgjegjësi për qytetarët që nuk marrin në kohë medikamentet, çka mund të shkaktojë deri humbje të jetës?!

*  Autori shërben në Kompaninë “Partner”, si Drejtor për Shëndetin Dixhital dhe Inovacionet, në Frankfurt të Gjermanisë.

Related Posts

Leave a comment