Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Mid’hat Frashëri – Bibliografi më i Përkushtuar Shqiptar

310680973_1244973982959300_3446725193928503279_n
In Memoriam Mars 25, 1880, Janine – Tetor 3, 1949 Nju Jork
Naum Prifti
Sikur të hartohej një listë e bibliografëve shqiptarë, jam i sigurt se vendin e parë, dua të them vendin e nderit do ta zinte Mid’hat Bej Frashëri, jo vetëm për nga kriteri i viteve kur e filloi atë veprimtari, por edhe për krijimin e një koleksioni të rrallë të veprave për Shqipërinë. Ai kishte më se 40.000 vëllime të ndryshme në gjuhë të ndryshme. Ky qe pasioni i tij më i madh, të cilin e ndoqi me përkushtim gjatë gjithë jetës së tij.
Bir i një familje intelektuale nga më të shquarat, djali i atdhetarit të dëgjuar të Rilindjes Kombëtare Abdyl Frashëri, i edukuar qysh në vegjëli me frymën e atdhedashurisë, ai ia kushtoi gjithë jetën lirisë së atdheut dhe përparimit të vendit që të vihej në një radhë me kombet e tjera të Ballkanit dhe Europës. Ai u aktivizua në jetën politike shqiptare qysh në moshë të re, pra qysh në fillim të shekullit XIX kur qe njëzet vjeçar dhe e vazhdoi pa ndërprerje deri në fund të jetës së tij. Qe një nga veprimtarët e parë të Klubit të njohur të Selenikut dhe më pas nismëtar për botimin e gazetës “Liria” në Selenik, titull simbolik për gjendjen e Shqipërisë, në atë kohë kur ende nuk e kishim fituar pavarësinë.
Qysh i ri, Mid’hati gëzonte simpatinë dhe respektin e intelektualëve shqiptarë të kohës çka vërtetohet nga fakti se atij iu besua detyra e lartë Kryetar i Kongresit të Manastirit, i njohur ndryshe si kongresi për hartimin e alfabetit të shqipes. Po atje ai u zgjodh edhe nënkryetar i Komisionit për hartimin e alfabetit, kryetar i të cilit qe i mirënjohuri At Gjergj Fishta. Në atë kohë Mid’hati qe djalë njëzetetetë vjeçar. Edhe pse Kongresi miratoi njëkohësisht, si akt kompromisi, edhe alfabetin e Stambollit, krahas atij që kemi sot, prioritet fitoi alfabeti latin për shkak se qe më i lehtë, më i përdorshëm dhe gërmat e tij gjendeshin kudo.
Mid’hat Frashëri qe një nga firmëtarët e Deklaratës së Pavarësisë, që u shpall në Vlorë nga Ismail Qemali më 28 Nëntor 1912, por ky akt u mbajt fshehur për një kohë të gjatë nga regjimi komunist për arsye politike. Më 1962 kur u festua 50 vjetori i Pavarësisë, redaksia e revistës “YLLI” ku punoja unë, pati idenë e mirë të botonte deklaratën origjinale tok me firmat e delegatëve. Më kujtohet fare mirë truku që përdori redaksia për të fshehur emrin e Mid’hat Frashërit dhe të Lef Nosit nga lexuesit. Mbi firmën e M. Frashërit u vendos stema e revistës “Ylli”, ndërsa firma e Lef Nosit u mbulua nga klisheja ku vihej numri dhe data e revistës. Kështu deklarata u botua e cunguar, për të fshehur emrat e atyre që u vrisnin sytë udhëheqësve komunistë.
Mid’hat Frashëri udhëtoi në Zvicër më 1915 dhe po atë vit botoi në Sofje librin “Letra mbi një udhëtim në Svicër.” Më shumë se mbresa udhëtimi, libri qe një promemorie që t’i nxiste bashkatdhetarët ta kthenin Shqipërinë në një Zvicër të dytë, për shkak të përngjasimit të terrenit fizik dhe demografisë. Kjo ëndërr, apo ky ideal vazhdon të gjallojë edhe sot.
Veprimtaria letrare e Mid’hat Frashërit është mjaft e pasur dhe e larmishme mbasi përfshin fusha të ndryshme. Përmendim midis tyre një biografi modeste për Naim Frashërin, të cilën kam patur fatin ta lexoj, novelat e tij “Hi dhe Shpuzë,” studime sociopolitike dhe etnike. Mid’hat Frashëri është ndër të parët autorë shqiptarë që kupton problemin se të drejtat e shqiptarëve mbrohen me gjuhët e njohura, prandaj i vihet punës dhe shkruan e boton frëngjisht më 1915 “L’affaire de l”Epire” (Çështja e Epirit) e po në atë vit 1915 “La population de l’Epire,” (Popullsia e Epirit) ku thekson se Epiri kryesisht banohet nga shqiptarët. Më 1919 botoi librin “Les Albanais chez eux et a l’etranger” (Shqiptarët mes veti dhe në vend të huaj) ku vë në dukje ngulimet shqiptare në vende të ndryshme.
Në fushën e përkthimeve nga letërsia e huaj Mid’hat Frasheri ka lënë disa kryevepra si “Guillame Tell” (Guljelm Tell) e Lamartinit, romani i dëgjuar i Daniel Defosë “Robinson Crusoe” (Robinson Kruzo), “Bëje të mirën pa hidhe në det” të autorit gjerman Franc Hofman, si dhe novelën “Shkurtabiqi i verdhë” të cilën e kam lexuar kur isha i ri dhe vonë e mora vesh se ishte përkthim i tij. Veç tyre, ai ka përkthyer edhe vepra shkencore si “Psikologjia e edukatës.” Për shkrimet publicistike në gazetat e revistat shqiptare të kohës, ai ka përdorur disa pseudonime, nga të cilat më i njohuri është Lumo Skëndo, më pak i dëgjuar Mali Kokojka dhe thuajse i panjohur Ismail Mulosmani.
Pasioni më i madh i Mid’hat Frashërit të cilit iu përkushtua me shpirt e zemër ka qenë bibliofilia, dashuria për librin. I nisur nga qëllime fisnike të shtinte në dorë çdo libër ku përmendej Iliria, Shqipëria e lashtë dhe e re, ku viheshin në dukje zakonet, gjuha, foklori, bukuria e natyrës, me një fjalë universi shqiptar. Ai dëshiron t’i dhurojë një penë të artë studiueses engleze zonjës Edith Durham, si shenjë respekti e mirënjohje për botimet e shkrimet e saj nga viset e ndryshme të Shqipërisë.
Njohja e disa gjuhëve të lindjes dhe perëndimit i dha mundësi Mid’hat Frashërit të lexonte autorët antikë, ata të Mesjetës si edhe autorët modern, për të ditur çdo gjë në lidhje me Shqipërinë, për ta njohur sa më mirë dhe për t’ia bërë të njohur botës mbarë të vërtetën rreth vendit tonë, larg përçudnimeve e shtrembërimeve të autorëve shovinistë. Librat ishin për të objektet më të çmuara, prandaj hapi në Tiranë librarinë Lumo Skëndo, e cila në kuptimin e mirëfilltë të fjalës ishte një klub intelektualësh me ide përparimtare.
Fati i njeriut shpesh herë është tekanjoz. Në vjeshtën e vitit 1944, Md’hat Frashëri u largua nga Shqipëria, pasi jeta e tij u rrezikua nga vërshimi i forcave të Lëvizjes Nacional Çlirimtare. Shtëpia e tij, biblioteka dhe gjithë pasuria e tij u sekuestruan nga pushteti popullor. Meqë shtëpia e tij nuk ruhej, as librat dhe as dokumentet nuk u inventarizuan. Ata persona që e dinin vlerën e tyre morën ç’deshën. Gjatë një vizite miqësore tok me Gaqo Bushakën në shtëpinë e shkrimtarit Zihni Sako, ai midis të tjerash na tha se tryezën e punës e kishte marrë nga studioja e Lumos Skëndos. Besoj se trashëgimtarët e Zihniut duhet ta kenë ende në shtëpine e tyre. Dihet se 40.000 vëllime të tij i mori Biblioteka Kombëtare, duke pasuruar ndjeshëm fondin e saj, me libra të rrallë dhe me vepra të shquara albanologjike. Sot e mot ato janë dëshmi e shkëlqyer e punës së bibliofilit të pasionuar, Mid’hat Frashëri, pinjoll i derës fisnike të frashërllinjve.
*Mbajtur me rastin e 65 vjetorit të vdekjes se Mid’hat Frasherit, botohet me disa redaktime

Related Posts

Leave a comment