Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Tirana ruan një pjesë të identitetit tim.

314498623_679369190225627_8773789414697348000_n

Endrit Shabani

Ashtu si çdo njeri që do qytetin e vet, edhe unë e dua Tiranën si në dimër ashtu edhe në verë. Por seç merr disa ngjyra melankolie Tirana në vjeshtë, që më bën ta dua edhe më shumë.
Dhe pikërisht kjo rrugë në krah të Lanës, në veçanti, më risjell kujtime të mijëra herëve që kam kaluar këtu.
Kujtoj përshembull herët e para kur isha fëmijë, dhe shkoja me motrat dhe prindërit për tek Parku i Lodrave. Pastaj kur isha në shkollën fillore kaloja këtu kur shkoja me shokët e lagjes tek Piramida, dhe aty luanim me bicikleta apo dëgjonim muzikë dhe kërcenim breakdance (shijet e mia muzikore kanë ndryshuar 😛).
Më kujtohet kur isha adoleshent që kaloja këtu të shtunave për të shkuar në kursin e kitares, apo kur kaloja për të nisur xhiron e mbasdites nga piramida tek universiteti. Ishte koha kur ky segment kishte zëvendësuar xhirot që brezi i prindërve të mi bënte tek ‘bulevard broduej’. Më kujtohet edhe kur nxitoja këtu si student për të shkuar në shkollë, dhe më vonë kur kaloja si pedagog për të shkuar në punë.
Mijëra herë të kaluara në këtë rrugë të njëjtë nga natyra, por duke shkelur si njeri i ndryshuar nga jeta.
Ky segment rruge që është nga të vetmit që nuk ka ndryshuar në Tiranë, shërben si shembull i asaj që kemi humbur nga ky qytet.
Ka shumë njerëz që nuk e kuptojnë përse banorëve të Tiranës ju dhemb prishja që i është bërë qytetit të tyre. Ata kujtojnë se kjo është vetëm çështje objektesh apo hapësirash. Jo, qyteti ku ti je rritur është shumë më tepër se kaq. Ai është identitet. Është lidhje e fortë me historinë tënde, ku pas çdo objekti ti ke një histori, që vetëm ti e di, që vetëm ti e ke përjetuar dhe që ti nuk do doje të humbasësh.

Related Posts

Leave a comment