Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Rama: Japonia të jetë më e pranishme në rajon, dënojmë agresionin rus në Ukrainë

auto_unnamed_11677074297

Gjatë një vizite zyrtare në Japoni, kryeministri Edi Rama deklaroi të mërkurën se, Shqipëria dhe Japonia kanë bashkuar forcat për të mbështetur Ukrainën.

Në një deklarate të përbashkët për media me kryeministrin e Japonisë, Fumio Kishida, në Tokio, kryeministri Rama foli për bashkëpunimin për të dënuar agresionin rus në Ukrainë.

“Është lajm i shkëlqyer të dëgjosh se qeveria juaj angazhohet të emërojë një ambasador përgjegjës për Ballkanin Perëndimor, pasi siç e përmenda gjatë bisedës tonë, është e një rëndësie thelbësore që Japonia të jetë më e pranishme në rajonin tonë. Ne jemi së bashku në Këshillin e Sigurimit dhe siç thatë ju, kemi bashkuar forcat për të mbështetur Ukrainën dhe bashkërisht dënojmë agresionin rus. Është një shkelje tërësisht e papranueshme e së drejtës ndërkombëtare dhe krejtësisht një sulm i papranueshëm kundër një vendi tjetër e integritetit të tij territorial. Kështu që do të vazhdojmë të punojmë krah për krah me miqtë dhe aleatët tanë japonezë në Këshillin e Sigurimit dhe jemi shumë, shumë të nderuar që e bëjmë këtë”, theksoi Rama.

Kryeministri Rama duke kërkuar që të rritet bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Japoninë, shpreson që së shpejti qeveria japoneze do të bëjë të mundur që shqiptarët të udhëtojnë pa viza në Japoni.

“Siç e përmendi kryeministri, kemi parë me shumë interes strategjinë kombëtare të mbrojtjes që ai ka hartuar dhe i shpreha vlerësimet e mia më të larta për këtë dokument mjaft të plotë që përfshin çështjet e këtyre kohëve kaq shqetësuese në mënyrë kaq frymëzuese. Do të doja që ta përmbyllja pjesën time duke u bashkuar me kryeministrin e nderuar për të theksuar nevojën dhe dëshirën për forcimin e marrëdhënieve tona dypalëshe, për forcimin e bashkëpunimin tonë dypalësh dhe për të parë që të ketë më shumë gjëra që ndodhin mes dy vendeve tona…Kështu që duke shpresuar se së shpejti qeveria japoneze do të bëjë të mundur që shqiptarët të udhëtojnë pa viza në Japoni ashtu siç japonezët mund ta bëjnë tashmë drejt Shqipërisë, ne presim me padurim që ky bashkëpunim të forcohet”, theksoi ai.

Edhe kryeministri i Japonisë Fumio Kishida theksoi se gjatë takimit të tyre kanë rënë dakord të dënojnë me forcë agresionin rus kundër Ukrainës.

“Gjatë takimit tonë, ne ramë dakord të dënojmë me forcë agresionin rus kundër Ukrainës, që është një shkelje e qartë e të drejtës ndërkombëtare, që dhunon dhe cenon sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Unë shpreha se si vendi i vetëm që ka vuajtur shkatërrimin e bombardimeve atomike gjatë luftës, Japonia kurrë nuk mund të pranojë kërcënimet ruse për armët bërthamore e jo më përdorimin e tyre. Duke punuar në partneritet me shoqërinë ndërkombëtare ne do të vazhdojmë të përçojmë një mesazh të qartë për këtë”, theksoi ai.

Më tej, ai tha se në fushën ekonomike në bëmë një vlerësim të situatës të marrëdhënieve midis dy vendeve duke përfshirë edhe importin e tonit nga Shqipëria në Japoni, gjithashtu edhe ngritjen e Dhomës së Tregtisë Shqipëri- Japoni.

Në fund, kryeministri Rama ftoi homologun japonez për të vizituar Shqipërinë.

Related Posts

Leave a comment