Nga Kavaja ku ndodhej në një një takim me strukturat e Partisë Socialiste, Erion Veliaj iu përgjigj kreut të Partisë Demokratike Berisha dhe komentoi situatën që po ndodh në kampin e djathtë, vetëm 2 muaj para mbajtjes së zgjedhjeve lokale.
“Kur dëgjoj lloj-lloj justifikimi, pse kundërshtarët tanë janë në atë derexhe ku janë, është tipike e njeriut që gabon dhe e trash zullumin e vet. Thotë: ‘jo po ma bëri Erion Veliaj me ambasadën’, ‘jo po Sorosi me Zelenskin’, ‘jo po dreqi me të birin’ – këto janë marrëzitë e një njeriu që nuk e kupton se arsyeja pse shkon nga humbja në humbje është se nuk arrin të gjejë gabimet tek vetja”, tha Veliaj.
Drejtues politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Veliaj u shpreh se opozita funksionon si Big Brother. “Sa herë që ata takohen, thonë kë do nxjerrim sot nga shtëpia. Sa herë takohemi ne, themi kë do fusim sot në shtëpinë tonë të madhe socialiste. Janë dy filozofi të ndryshme. Filozofia e tyre është të gjejnë gabimin te tjetri, të përjashtojnë kë të munden, kurse filozofia jonë është të reflektojmë për çfarë gjërash mund të bëjmë më mirë dhe kë mund të bëjmë pjesë të skuadrës sonë – sepse askush nuk është i padobishëm, askush nuk është i panevojshëm, secili është i dobishëm, me aq mundësi sa ka”, vijoi Veliaj, ndërkohë që hodhi akuza të ashpra kundër kreut të PD, Berisha.