Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Dy Ilirët nga të cilët njëri heroi im!

371761544_686917213303118_8804437574222401793_n
Nuk është se me Ilir Bulkën dhe Ilir Gurakuqin kemi ndenjur shumë bashkë. Tre minuta gjithsej. Miku im ishte Ilir Gurakuqi, Bulkën e njihja pothuaj që nga fëmijëria, por nuk ishim shumë të afërt. Përshëndeteshim dhe aq.
Me sa di ai pak fare miqësi kishte edhe me Gurakuqin. Por ndodhi që një ditë, kur Gurakuqi kishte mbaruar punën e tij dhe erdhi të më thërriste te RTSH-ja, pashë se te shkallët kishte takuar Ilir Bulkën, që ishte ndodhur rastësisht aty.
Ishte çasti i vetëm kur për herë të parë e të fundit ndenjëm bashkë. Tre minuta më pas, mora Gurakuqin dhe dolëm në bulevard. Bulkën e lamë aty. Kokëulur, i rrethuar nga një ndjenjë vetmie dhe duke thithur thellë një cigare.
Një javë më pas, Ilir Bulka braktisi grupin e sportistëve që shoqëronte, diku në aeroportin Athinës, dhe kërkoi azil politik.
Menjëherë filloi edhe një veprimtari të jashtëzakonshme kundër regjimit.
Që nga ai çast e për muaj e vite të tëra ai do të mbetej në qendër të bisedave e komenteve tona. Gjithçka e ndiqnim dita më ditë nëpërmjet intervistave që Bulka i jepte fillimisht shtypit grek e që pastaj merreshin e riprodhoheshin në shumë vende perëndimore.
Një pjesë të gazetave ku ato shfaqeshin i gjeja unë, një pjesë Ilir Gurakuqi. Takoheshim dhe i komentonim gjatë. Në fillimet e veta ai u përqendrua te figura e E. Hoxhës, por më tej nuk mungonin analizat për natyrën e ashpêr tê diktaturës shqiptare, për të drejtat e njeriut, internimet, burgosjet, ekonominë e urisë, censurën etj.
Ishim me të vërtetë admirativë për guximin e tij. Mbi të gjithë për faktin se, ndryshe nga shumë të tjerë që nuk shpreheshin me qëllim që të mbronin familjen ne Shqipëri, Ilir Bulka ishte i ndërgjegjshëm për rrezikun që i kanosej asaj, siç dilte ne nje intervistë.
Në sytë e mi ai vërtet që merrte përmasat e një njeriu të jashtëzakonshëm dhe më vinte keq që nuk kisha bërë përpjekje për ta njohur më nga afër. Mbase ngaqë atë ndjesinë e vetmisë ai ta jepte edhe po të ishte i rrethuar nga njëmijë vetë. Ishte dikush që bluante me vete pareshtur. Më vonë kur shkoi në Amerikë dhe u afrua me VOA kam përshtypjen se ai nuk u kuptuar mirë nga ata që e rrethonin, duke krijuar opinione të pasakta për të.
Një ditë Gurakuqi më mori në telefon dhe më kërkoi të takoheshim sa më shpejt. Sapo kishte dalë nga një mbledhje e rëndësishme me Sofokli Lazrin, një ndihmës i afërt, mbase më i afërti i Ramiz Alisë për problemet e jashtme. Takimi i ishte kushtuar Ilir Bulkës. Intervistat e analizat e tij dukej se kishin krijuar një shqetësim të jashtëzakonshëm te kupola e diktaturës, sa në një çast Lazri kishte thënë: ky njeri e ka dëmtuar imazhin e Shqipërisë socialiste më shumë se sa i gjithë emigracioni politik këta 45 vjet!
Tamam kështu.
Mbeta fare pa gojë! Më së fundi kisha mundur të kuptoj diçka nga natyra e tij e mbyllur, nga ajo bluarja në heshtje dhe vështrimi i përhumbur sa herë që thithte thellë cigaren.
Jemi mesuar te na i tregojne te tjerët me gisht heronjte, i thashë Gurakuqit dhe nuk jemi në gjendje t’i njohim kur i kemi përpara!
E di, e ndjej se fjalën “hero” nuk e kapërdijnë të gjithë. Një palë do të thonë se hero ishte Qemal Stafa, të tjerët do të thonë se hero ishte Skënderbeu. Edhe mund të jetë kështu, por askush nuk ka përmendur se qe shumë më e lehtë të ishe Qemal se sa Ilir.
Për të parin do të thonë se bërtiste në mes të gjyqit që ishte komunist dhe i tillë do të vdiste, por nuk përmendin se çfarëdo që të bënte ai, ligjet e monarkisë nuk lejonin që të prekej familja e tjetërkujt veç fajtorit.
Për Skënderbeun pastaj puna ishte edhe më e thjeshtë. Shumë dokumente saktësojnë se sa herë që afroheshin ushtritë turke ai e dërgonte familjen e tij në Napoli apo Venedik! (Ndjesë nëse kam prekur njeri)
Kërkush nuk vepronte duke e lënë familjen e tij në dhëmbët e hienave. Prova është se Ilir Bulka tha më shumë të vërteta për diktaturën komuniste se i gjithë emigracioni politik i 45 vjetëve pikërisht për këtë arsye.
Jam i sigurt se po të mos ishte rregulli e ndëshkimit të familjeve të kundërshtarëve, regjimi komunist do të kishte patur jetën të paktën 20 vjet më të shkurtër.
I vetmi që u ngrit mbi këtë dhimbje të tmerreshme ishte Ilir Bulka!

Related Posts

Leave a comment