Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Nedim Bajrami – ‘lufta’ me Zvicrën, ulje-ngritjet me Rejën dhe shkëlqimi me Silvinjon

-800-0-9b749f3dae3bc97cff60d170fc994794

Nedim Bajrami është padiskutim ylli i Shqipërisë në këto kualifikuese për Euro 2024. Mesfushori me tipare sulmuese ka realizuar tre gola dhe një asistim në tre paraqitje si titullar.

Goli më i fundit i Bajramit ishte një “perlë” nga jashtë zone në barazimin 1-1 ndaj Republikës Çeke të enjten mbrëma në “Fortuna Arena” të Pragës.

Shkëlqimi i Bajramit nuk është i rastësishëm. Ai është një futbollist prej të cilit pritet shumë dhe Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) iu desh të bënte shumë përpjekje për t’ia rrëmbyer Zvicrës.

I lindur në Zyrih, Zvicër më 28 shkurt 1999, Bajrami kishte kaluar në radhët e të rinjve në gjigantët zviceran Grasshoppers dhe kishte luajtur për ekipin e dytë përpara se të bënte debutimin e tij për ekipin e parë në shkurt 2017.

Pasi kaloi dy sezone e gjysmë te Grasshoppers, ai u ble nga klubi italian Empoli.

Bajrami iu bashkua klubit nga rajoni i Toskanës në Italinë qendrore në gusht 2019 për një tarifë huazimi prej 300,000 eurosh me një opsion për t’u blerë plotësisht.

Mesfushori u stërvit nën tre trajner të ndryshëm në 2019-20 dhe ishte nën të tretin kur performancat e tij dhe të ekipit u përmirësuan.

Empoli kishte rënë nga Seria A në fund të sezonit 2018-19. Cristian Bucchi u emërua trajner në fillim të sezonit dhe më pas u zëvendësua nga Roberto Muzzi.

Bajrami u testua në role të ndryshme, por kur Pasquale Marino zëvendësoi Muzzi-n pas javës së 21-të të sezonit 2019-20 në Serie B, ylli shqiptar u përdor si sulmues anësor në formacionin 4-3-3.

Toskanët përfundimisht përfunduan në vendin e shtatë në fund të sezonit dhe u eliminuan nga Chievo në play-off, pavarësisht një barazimi 1-1 në kohën shtesë për shkak të një pozicioni inferior në tabelën e ligës.

Ishte një sezon i mirë për Bajramin, i cili shënoi pesë gola dhe dha katër asistime, dhe Empoli e bleu atë plotësisht duke paguar Grasshoppers me 500,000 euro.

Forma e tij u përmirësua në 2020-21 nën drejtimin e trajnerit të ri Alessio Dionisi. Taktika që ai zbatoi me formacionin 4-3-1-2, e vendosi mesfushorin pas sulmuesve.

Empoli dominoi Serie B dhe përfundoi në krye të tabelës, katër pikë më shumë se Salernitana. Bajrami gjithashtu pati një sezon mbresëlënës në ligë, duke luajtur 36 herë, duke shënuar pesë herë dhe duke dhënë tetë asistime.

Megjithatë, ishin paraqitjet e tij në Kupën e Italisë ato që ranë më shumë në sy se paraqitjet e tij në Serie B dhe kjo ndodhi sepse ai tregoi se nuk ishte i “mbytur” nga kundërshtarët e Serie A.

Empoli e filloi sezonin 2020-21 të Kupës së Italisë në raundin e dytë dhe mundi skuadrën e Serie C Renate me rezultat 2-1. Në raundin e tretë, toskanët duhej të përballeshin me Benevento-n jashtë.

Çuditërisht, ishte skuadra e Serie B ajo që triumfoi ndaj klubit të Serie A në Campania, duke fituar 4-2, dhe Bajrami luajti një rol të rëndësishëm, duke dhënë dy asistime në pjesën e dytë.

Empoli më pas pati një fitore me rezultat 3-0 në raundin e katërt kundër Brescia-s, dhe ata u përballën kundër Napolit për raundin e 16-të.

Gjërat dukej se po shkonin mirë për Napoli-n kur Giovanni Di Lorenzo i dha epërsinë klubit të Serie A me një goditje me kokë pas 18 minutash, por Bajrami barazoi rezultatin 15 minuta më vonë me një goditje të shkëlqyer.

Hirving Lozano riktheu epërsinë e Napoli-t në minutën e 38-të, por ata nuk mund të qëndronin të qetë. Pas 68 minutash, Bajrami realizoi për 2-2 dhe kur mori topin, kishte dy mbrojtës që e sulmonin dhe ai arriti të gjuante dhe të shënonte.

Andrea Petagna shënoi golin e fitores për Napoli-n, por askush nuk mund t’i hiqte asgjë Bajramit dhe paraqitjes së tij të shkëlqyer individuale.

Pikërisht në këtë kohë Bajrami vendosi të ndërrojë besnikëri në skenën ndërkombëtare. Ai kishte përfaqësuar Zvicrën në çdo nivel të të rinjve, nga ekipi U-15 deri në U-21.

Por, forma e tij që nga bashkimi me klubin italian e ka nxitur të përfaqësojë atdheun e tij stërgjyshorë, Shqipërinë.

Trajneri i Zvicrës U-21, Mauro Lustrinelli nuk e zgjodhi mesfushorin sulmues për Kampionatin Evropian U-21 në 2021 dhe duhej të shpjegonte se lojtari i Empoli-t dëshironte të përfaqësonte vendin e orgjinës së tij në vend të kombit të tij të lindjes.

“Ne u përpoqëm shumë për ta bindur Nedimin që të vazhdonte të luante për Zvicrën”, tha Lustrinelli më 9 mars. “Por më pas ai na tha se zemra e tij rreh më fort për Shqipërinë”.

“Për ne, identifikimi është një nga vlerat themelore për një lojtar të kombëtares zvicerane. Pra, ne nuk kishim zgjidhje tjetër veçse ta linim të ikte”, shtoi ai.

Një vendim i FIFA-s në maj të vitit 2021 e kishte ndaluar fillimisht Bajramin të përfaqësonte Shqipërinë pavarësisht se kishte marrë një pasaportë shqiptare. Arsyetimi i tyre ishte se lojtari nuk kishte shtetësi të dyfishtë kur ai kishte përfaqësuar Zvicrën në nivelin e të rinjve.

Megjithatë, çështja shkoi në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) dhe një seancë me video e ndjekur në gusht vendosi në favor të FSHF-së dhe Bajramit, duke e lejuar atë të luante në kualifikueset e Shqipërisë për Kupën e Botës në shtator.

“Trupi gjykues konsideroi se Nedim Bajrami nuk ka luajtur kurrë me kombëtaren zvicerane (të moshuar) dhe tashmë kishte nënshtetësi shqiptare”, tha CAS-i.

Dhe, këtu fillon historia kuqezi e Nedimit.

Nën urdhërat e trajnerit (ish tashmë) të Shqipërisë, Edoardo Reja, Bajrami nuk ishte titullar i garantuar, pavarësisht se nisi nga minuta e parë dy ndeshjet kualifikuese për Botërorin e 2022 ndaj Hungarisë dhe San Marinos.

Edhe, liria e tij në fushë nuk ishte ajo që ai ka tani nën urdhërat e Sylvinho-s.

Në gjashte takimet e para me Shqipërinë, Bajrami nuk arriti të siguronte asnjë gol apo asistim. Por, magjia e tij në fushë ishte e dukshme.

Ndërkohë, ai vazhdonte të bënte përshtypje në Serie A dhe Empoli mori disa rezultate të jashtëzakonshme, si mposhtja e Juventus-it në Torino në raundin e dytë të kampionatit italian 2021-22.

Një dëmtim do e linte jashtë dy miqësoreve me Shqipërinë ndaj Spanjës dhe Gjeorgjisë në marsin e 2022.

Rikthimi në ndeshjet e Nations League në qershor nuk do të ishte ai i pritshmi për mesfushorin. Në sfidën e parë të barazuar 1-1 ndaj Islandës në transfertë, Bajrami ishte në stol për 90 minuta. Në ndeshjen e dytë, ndaj Izraelit në Tiranë, Bajrami e nisi titullar, por edhe këtë herë nuk regjistroi as gol as asistim.

Me pak fjalë, paraqitja e Bajramit me Shqipërinë e Reja-s nuk ishte ajo që pritej prej tij, por dhe ajo që ai vetë priste. Ishte e kundërta e paraqitjeve të tij në Serie A. Nga 17 ndeshje në total, ai u aktivizua në 10, dhe në asnjërën prej tyre nuk luajti 90 minuta të plota. Dy ndeshje qëndroi në stol, në tre nuk u grumbullua dhe në dy ishte i dëmtuar. Dhe, dhuroi vetëm një asistim në miqësoren e humbur 3-1 ndaj Italisë.

Megjithatë, Bajrami, tani te Sassuolo në Serie A, do të rilindte me ardhjen e trajnerit të ri në krye të Shqipërisë, Sylvinho. Braziliani e filloi aventurën me kuqezinjtë me ndeshjen kualifikuese për Euro 2024 ndaj Polonisë. Në atë takim, Bajrami luajti vetëm 15 minutat e fundit dhe Shqipëria u mund 1-0. Por, ra në sy një lojë në rritje dhe cilësore e të besuarve të ish-trajnerit të Lyon-it.

Por, aktivizimi i Bajramit dhe marrja e më të mirës prej tij do të vinte në tre ndeshjet e fundit kualifikuese.

Në ndeshjen ndaj Moldavisë të luajtur në “Air Albania”, Bajrami ishte autor i golit të dytë, në fitoren 2-0. Mesfushori do të vazhdonte ritmin e golave duke shënuar edhe në dy ndeshjet e radhës, ndaj Ishujve Faroe (gol, asist) dhe Çekisë. Me këta të fundit do të realizonte një super gol nga jashtë zonës.

Me katër paraqitjet me Shqipërinë në kualifikueset e Euro 2024, Bajrami ka marrë një vlerësim të përgjithshëm nga “Sofascore” me notën 7.1. Nga titullarët, vetëm Ylber Ramadani ka vlerësim më të madh se mesfushori i Sassuolo-s, 7.28.

Tani, tifozët dhe trajneri shpresojnë që Bajrami do të jenë në gjendje të vazhdojë ritmin e tij edhe në ndeshjen pothuajse më të rëndësishme të këtyre kualifikueseve, ndaj Polonisë, të dielën në “Air Albania”.

Shqipëria është një pikë më shumë (7) se Polonia (6) në renditjen e Grupit E. Çekia ka 8 pikë, por do të jetë pushim këtë javë. Nëse kuqezinjtë triumfojnë, atëherë do të marrin kryesimin e grupit dhe do të presin në ndeshjen e radhës Çekinë në “Air Albania”, në tetor. Një humbje do të vështirësonte gjërat për kuqezinjtë për ëndrrën drejt Gjermanisë, pasi do të parakaloheshin nga Polonia në renditje.

Related Posts

Leave a comment