Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Berisha në 2015: Prokuroria të nisë hetimet për Metën, për aferën me CEZ. Berisha sot: S’kam dijeni

-800-0-1667582305xberisha-meta-390

Ilir Meta është paraqitur këtë të mërkurë në SPAK, për aferën CEZ-DIA.

Aferë për të cilën në vitin 2015 ai është akuzuar edhe nga aleati aktual, Sali Berisha, që ndryshe mendonte atëherë e ndryshe mendon sot.

Sali Berisha, shtator 2015:

“Një dëshmi tjetër vjen nga ish- administratori i CEZ se Ilir Meta si ministër i Jashtëm e ka takuar në Pragë dhe ka negociuar me Hajsek për Kastriot Ismailajn, duke shfrytëzuar kështu postin zyrtar dhe mashtruar për interesin e xhepit të tij.

Deklaroj këtu me përgjegjësi të plotë se Ilir Meta si mMinistër i Jashtëm nuk ka pasur tagër për të negociuar me CEZ për asnjë lloj problemi. I bëj thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të nise hetimin e menjëhershëm për Ilir Metën për këtë aferë korrupsioni ndërkombëtar.

Ju bëj thirrje qytetarëve shqiptarë të mos pajtohen kurrë me qëndrimin e oligarkëve Rama-Meta që duan me imunitet të bllokojnë drejtësinë”.

Sali Berisha nëntor 2023:

“Nuk kam pasur dijeni për këtë çështje. CEZ nuk njoftonte asnjë nga aktivitetet e tij, sepse ishte firmë private. Nuk kam dijeni dhe sot se cilat janë lidhjet e Metës në këtë histori. CEZ-DIA është hetuar në mënyrë intensive.

Ish-presidenti i kompanisë është arrestuar dhe një grua mesa di unë. Nuk kam asnjë dijeni më tepër nga ç’kam thënë. Nuk di të jenë bërë negociata në emër të qeverisë”.

Akuzat mes Metës dhe Berishës shtator-tetor 2015

Sali Berisha: Këto ditë mediat kanë zbuluar një akt tjetër korruptiv, sipas të cilit, njëra nga kompanitë e kontraktuara nga vet CEZ-i, DEP International e një farë “nacionali”, që quhet Kastriot Ismailaj, i ka dhënë ryshfet ministrit të Jashtëm të asaj kohe. Nga ana tjetër, një padi tjetër vjen nga ish-administratori i CEZ-t, se Ilir Meta, ministër i Jashtëm, e ka takuar në Pragë dhe ka negociuar me Hasekun për Kastriot Ismailajn. Deklaroj këtu me përgjegjësi të plotë se Ilir Meta, si ministër i Jashtëm nuk ka pasur asnjë tagër, asnjë detyrë për të negociuar me CEZ-in për asnjë lloj problemi të asaj kohe. Me CEZ-in ka qenë i ngarkuar ministri i tij Edmond Haxhinasto, ka qenë e ngarkuar Ministria e Financave, ka qenë i ngarkuar grupi i punës i përbërë nga të gjithë të tjerët, por në asnjë rast e në asnjë rrethanë, nga asnjë zyrtar i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Kurrë! Cilat janë motivet që e kanë shtyrë Ilir Metën të takojë në Pragë Hasekun, të negociojë për Kastriot Ismailajn?

Ato duhet t’i shpjegojë ai, ndaj dhe ne kemi kërkuar dorëheqjen e tij në mënyrë që të shpjegojë gjithçka për këtë çështje. Edhe një herë e them: është akuzuar nga Tim Schreiber, se i është paguar ryshfet nga Ismailaj atij. Këtë akuzë ia transferoi Vilson Ahmetajt, i cili tha se s’ka asnjë lidhje. Po atëherë nëse nuk është Vilsoni, është Petriti se ishte anëtar i ERE-s. Dhe Petriti është sot kryetar i ERE-s. Po Petritin nuk e emëroi Sali Berisha, por Edi Rama.

Tani a është ky korrupsioni më i madh në historinë e vendit? Jo. Nëse është i vërtetë, dhe unë them se duhet hetuar me çdo kusht, është një akt i mirëfilltë korruptiv. Më i madhi, më i tmerrshmi, është ai që gjobiti shqiptarët çdo qytetar të këtij vendi me 1100 euro gjobë nga marrëveshja që bëri në prapaskenë Edi Rama, mundet i ndikuar ose jo, e kam thënë edh atëherë, nga Stefan Fule, i biri i të cilit ishte eksponent kryesor i CEZ-it. I kam shkruar unë këto.

Ilir Meta: Mos u merrni me spekulime të tilla kaq të mjera, se është turp për të gjithë ju! Lexojini deklaratat edhe të Hejsekut, pavarësisht se unë nuk kam ndonjë besim te ky zotëri, sepse kam qenë ministër i Ekonomisë dhe zëvendëskryeministër në kohën që Hejsek ka qenë drejtor i CEZ-it, vazhdimisht kemi pasur debate dhe probleme, pasi asnjëherë nuk u përmbaheshin përgjegjësive dhe detyrimeve të tyre. Shqipëria ishte pa drita dhe përballej me probleme të jashtëzakonshme. Habitem sesi titullarë të tjerë të qeverisë paskan kaq besim te ky zotëri, i cili ka bërë një deklaratë në Pragë, natyrisht për të justifikuar veten e tij edhe në raport me eprorët e tij për problemet e CEZ-it me DIA-n, ku, në mënyrë eksplicite, ka bërë të qartë që këtë propozim për zotin Ismailaj ia ka bërë ambasadori i Shqipërisë në atë kohë, i cili ka qenë në atë detyrë kohë më përpara se Ilir Meta të bëhej ministër i Jashtëm, duke i thënë zotërisë në fjalë se “ky person ishte një njeri i besuar i ministrit të Jashtëm dhe i Kryeministrit, Sali Berisha”. Kjo është shumë e qartë dhe juve kjo gjë ndoshta nuk ju pëlqen, por ky nuk është një problemi im.

Unë nuk e besoj që zoti Berisha ka qenë i implikuar në këtë rekomandim, edhe pse ambasadori ka qenë i emëruar prej tij, nuk ka qenë i emëruar prej meje, ju lutem, por ka qenë edhe deputet i djathtë zotëria dhe njeri i cili ka pasur raporte shumë të mira me të gjithë ju, le të mos e marrim nëpër gojë, por të flasim për të vërtetat tani. Juve ju pëlqen ajo pjesë që doni, ndërsa ne duhet t’ia themi publikut siç janë të vërtetat. Mos falsifikoni dhe mos manipuloni! Mos u bëni pjesë e një operacioni mafioz politik, mafioz mediatik dhe mafioz financiar, sepse është një operacion që paguhet për të gënjyer dhe për të mashtruar!

Unë deklaroj, me përgjegjësi maksimale para jush dhe të gjithë shqiptarëve, se as më ka shkuar në mendje të shkoj në Pragë për të negociuar për një kompani të tillë apo për çdo lloj kompanie, por kam qenë në Pragë për të marrë pjesë në Kongresin e Partisë Socialiste Evropiane. Ka qenë edhe zoti Balla atje, por nuk i kishim marrëdhëniet shumë të mira atëherë, për arsye të koalicionit në të cilën unë ndodhesha dhe natyrisht që kam bërë edhe takim me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Çekisë. Unë nuk kam qenë atje për të diskutuar për CEZ-in, për çështje që nuk kishin lidhje me funksionin dhe me kapacitetin tim si ministër i Jashtëm apo si zëvendëskryeministër.

…Kastriot Ismailaj nuk më ka kërkuar asnjë favor dhe nuk i kam bërë asnjë favor. Kjo gjë duhet të jetë fare e qartë për ju dhe për cilindo tjetër…. Unë jam për një hetim ndërkombëtar, jam edhe për një hetim amerikan. E dini pse kam thënë hetim amerikan? Sepse kam dëgjuar të gjithë këta mafiozët që thonë se shkrimi është bërë me porosi të Ambasadës Amerikane, se këtë gjë na e tha filani nga Ambasada Amerikane. Unë jam nga ata që ballafaqohem me shqiptarët, me amerikanët dhe me evropianët pa asnjë shqetësim, sepse jam i bindur te drejtësia, jam i bindur tek e vërteta dhe jam i bindur tek transparenca…

Related Posts

Leave a comment