Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

FAKTI/ Dëshmia e ish-shefit të CEZ: Ismailaj u rekomandua si i besuari i Metës

-640-0-1699465929xhejsek-testimony-rama-meta-870

Në dëshminë e dhënë për Clifford Chance, Jozef Hejsek zbulon se kontrata 4.5 milionë euroshe me Kastriot Ismailajn u firmos pasi biznesmeni u rekomandua si “aleati i ngushtë” i Metës dhe i Berishës nga ish-ambasadori në Pragë, Qazim Tepshi.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta akuzohet se rekomandoi Kastriot Ismailajn si “njeriun e tij të besuar” për mbledhjen e borxheve të vjetra për llogari të CEZ Shpërndarje; kontratë që i kushtoi 4.5 milionë euro kompanisë dhe është nën hetim si skemë mashtrimi nga prokuroria shqiptare.

Sipas Jozef Hejsek, ish-shefit ekzekutiv të CEZ Shpërndarje, Ismailaj u trajtua si “kandidati” i qeverisë shqiptare për mbledhjen e borxheve të vjetra, pasi u prezantua si aleati i ngushtë i ministrit të punëve të jashtme, Meta dhe i ish-kryeministrit Berisha nga ambasadori shqiptar i asaj kohe në Pragë, Qazim Tepshi.

Dëshmia e Jozef Hejsek, një kopje e së cilës është siguruar nga BIRN, është dhënë më 26 tetor 2014 në Pragë për llogari të avokatëve të studios ligjore të OSHEE-së, Clifford Chance. [Kliko këtu për të shkarkuar dokumentin]

Ajo konsiderohet një provë “kyçe” e procesit që po zhvillohet në gjykatën e arbitrazhit në Vjenë, ku kompania e Kastriot Ismailajt, Debt International Advisory, DIA kërkon 130 milionë euro dëmshpërblim për prishjen e kontratës nga OSHEE.

Për të njëjtën marrëveshje, pronari i DIA-s, Kastriot Ismailaj është arrestuar për pastrim parash dhe mashtrim, i dyshuar se ka orkestruar një skemë mashtruese të mbledhjes së borxheve të CEZ në bashkëpunim me Hejsek.

I lënë jashtë hetimit të prokurorisë shqiptare, Hejsek ka pranuar të zbardhë prapaskenat e nënshkrimit të kontratës mes DIA dhe CEZ Shpërndarje, që duket se kishte për qëllim të influenconte në mënyrë të paligjshme politikanët shqiptarë dhe Entin Rregullator të Energjisë Elektrike, ERE.

Paralelisht me dëshminë e Hejsek, Clifford Chance ka paraqitur në gjykatën e arbitrazhit në Vjenë një raport, ku thotë se “përfitues të parave që DIA mori nga CEZ Shpërndarje ishin politikanë të rëndësishëm shqiptarë, përfshirë një ish-kryeministër i proceduar për korrupsion”.

BIRN argumentoi në një investigim të mëparshëm se kryetari aktual i Kuvendit, Meta është i vetmi kryeministër i proceduar për korrupsion në dy dekadat e fundit.

Meta përjashtoi implikimin e tij në këtë çështje, përmes një deklarate të bërë të hënën në Kuvend si përgjigje për Partinë Demokratike, e cila kërkon dorëheqjen e tij.

Meta u mbrojt me argumentin se zyra ligjore e OSHEE-së, Clifford Chance është përzgjedhur në kohën kur qeveria drejtohej nga kryeministri Berisha dhe se në raportin e saj nuk përmendej emri i tij.

“Shqipëria ka pasur shumë ish-kryeministra, të cilët unë nuk dëshiroj t’i marr nëpër gojë,” tha Meta.

Ismailaj, “i besuari” i Metës

Në dëshminë e tij për Clifford Chance, Hejsek thotë se borxhi i trashëguar i OSSH-së prej 230 milionë eurosh dhe rreth 200 milionë të tjera në interesa ishte një shtyllë e rëndësishme e vendimit të gjigantit çek, CEZ për të investuar në Shqipëri.

Ai pohon se shitja e paketës së borxhit tek një agjent i jashtëm u pa si alternativë, pasi pala shqiptare insistoi në mundësinë e një kompanie të jashtme, të kontraktuar nga CEZ.

Hejsek shpjegon më tej se çështja e borxhit u diskutua me përfaqësuesit e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, METE, ndërsa qeveria shqiptare mori përsipër të rekomandonte dikë me njohuri rreth botës së biznesit.

Pas këtyre bisedimeve, ambasadori i Shqipërisë në Pragë, zoti Qazim Tepshi luajti rolin e këshilltarit të qeverisë shqiptare në marrëveshjet me drejtuesit e CEZ.

“Ai e mori këtë rol pas bisedimeve me eprorin e tij, ministrin e Punëve të Jashtme (Zotin Ilir Meta),” dëshmon Hejsek.

“Ai rekomandoi zotin Kastriot Ismailaj për mbledhjen e borxhit dhe e prezantoi atë si aleatin e ngushtë të ministrit të Punëve të Jashtme dhe të kryeministrit Berisha,” shton ai.

Në dëshminë e tij, Hejsek thotë se emri i Ismailajt i është rekomanduar CEZ Shpërndarje në vjeshtën e vitit 2009. Ata janë takuar më pas në Tiranë, në praninë e ambasadorit Tepshi, që sipas Hejsek e prezantoi Ismailajn si “një person me lidhje të forta” dhe “njeri i besuar” i ministrit të Jashtëm, Meta.

“Zotin Ismailaj e prezantoi veten si një specialist në mbledhjen e borxheve dhe njohës i politikës dhe biznesit shqiptar. Bashkë me zotin Ismailaj, unë takova gjithashtu edhe zotin Nepravishta, ish-kryetarin e Bordit të Komisionerëve në ERE dhe këshilltarin e tij…,” thotë Hejsek.

Raporti i DIA, një gënjeshtër e madhe

Pasi mori dritën jeshile nga Hejsek, Kastriot Ismailaj ra dakord të paraqiste një projekt për identifikimin e borxhit nga kompania e tij DIA. Hejsek dëshmon se ky raport u prezantua në qershor të vitit 2010 nga Ismailaj, në Tiranë dhe në Pragë.

Sipas zyrës ligjore të OSHEE, kompania e Ismailajt është paguar me 1.48 milionë euro nga CEZ Shpërndarje për këtë raport të pavlerë për identifikimin e borxhit të kompanisë.

Jozef Hejsek kujton në dëshminë e tij se raporti i prezantuar nga Kastriot Ismailaj ishte një “gënjeshtër e madhe”.

Përpara një audience të përbërë nga menaxherët e CEZ Shpërndarje, anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës dhe të Bordit të CEZ, Ismailaj e prezantoi veten si një biznesmen me lidhje të forta dhe paraqiti në Power Point projektin e tij për mbledhjen e borxhit të vjetër.

“Gënjeu për çdo fakt: për infrastrukturën e mbledhjes së borxhit dhe eksperiencën që ata kishin, për kapacitetin e tyre dhe faktin se kishin zyra kudo nëpër Shqipëri,” kujton Hejsek.

Sipas Clifford Chance, pagesa prej 1.48 milionë eurosh besohet se u përfitua nga DIA për të influencuar një vendim të ERE për uljen e çmimit me të cilin KESH ia shiste energjinë elektrike CEZ Shpërndarje. Ky vendim u mor nga ERE në dhjetor të vitit 2010, pasi DIA ishte paguar 1.48 milionë euro nga CEZ shpërndarje, në tre pagesa prej 485,000 euro për raportin fals të identifikimit të debitorëve.

Vendimi i marrë nga ERE në dhjetor të vitit 2010 ulte çmimin e shitjes së energjisë nga KESH tek CEZ me 27 për qind; nga 2.03 lek në 1.48 lek.

“Dëmi i shkaktuar në kompaninë shtetërore dhe të subvencionuar KESH nga ky vendim arbitrar vlerësohet në më shumë se 30 milionë dollarë,” argumenton Clifford Chance.

Sipas dokumentit të protokolluar nga Clifford Chance në gjykatën e arbitrazhit më 30 qershor 2015; DIA ka përfituar në total 4.5 milionë euro nga CEZ Shpërndarje gjatë një periudhe gati një vjeçare nga Nëntori 2010 deri në Tetor 2011.

Vjeshtën e 2011, Ismailaj pati mosmarrëveshje me bashkëpunëtorët e tij se si do të ndaheshin paratë e përfituara në mënyrë të paligjshme, ndërsa në tetor 2011, CEZ e prishi marrëveshjen me DIA-n.

Pavarësisht manovrave që kishte kryer, Kastriot Ismailaj dorëzoi një padi në gjykatën e arbitrazhit në Vjenë, duke kërkuar 130 milionë euro nga OSHEE për prishjen e kontratës.

Kompania që mbron interesat e shtetit shqiptar në arbitrazh shkruan në raportin e vet se “skema e Ismailajt mund të ekspozojë rastin më të madh të korrupsionit dhe mashtrimit në Shqipëri”.

Publikuar më 08/09/2015 nga BIRN

Related Posts

Leave a comment