Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Si duhet lexuar paralajmërimi i Zelensky-it për “kriza të reja” në Ballkan?

-640-0-72fd1d520bac25d1fb8390e3fec7fe02

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, të enjten, bëri një paralajmërim mjaft shqetësues duke thënë se Rusia mund të krijojë “kriza të reja” në Ballkan dhe Moldavi, në mënyrë që, siç tha ai, të largojë vëmendjen e botës nga lufta në Ukrainë.

Paralajmërimi i Zelensky-it mund të përkufizohet si shqetësues meqë ai tha se ka informacione që “Rusia ka një plan të gjatë. (Së pari kemi pasur) Lindjen e Mesme – shpërqendrimi i dytë do të jetë Ballkani”.

Apeli i presidentit Zelensky, vendi i të cilit për më shumë se një vit është nën agresionin e Rusisë, sipas ligjëruesit të paqes dhe konflikteve në Univeristetin “Dublin City”, Gëzim Visoka, duhet analizuar në tri aspekte.

Aspekti më i rëndësishëm, sipas Visokës, është fakti se Ukraina ka marrë një rol diplomatik për të formësuar pozicionin ndërkombëtar ndaj Rusisë.

Kësisoj, Visoka, argumenton se Kievi zyrtar, synon të rrisë presionin ndërkombëtar mbi Rusinë në njërën anë dhe mbështetjen ndërkombëtare për Ukrainën në anën tjetër, duke e portretizuar “Rusinë si përgjegjëse për konflikte të tjera në Lindjen e Mesme dhe në Ballkan”.

Paradigma e dytë mbi të cilën duhet analizuar thirrja e Zelensky-it, sipas profesorit, është efekti i sigurisë që po dëshiron të krijojë presidenti i Ukrainës duke shtyrë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe Bashkimin Evropian të marrin masa parandaluese duke rritur praninë e tyre ushtarake dhe modifikuar strategjinë diplomatike në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Një moment i tillë i sigurisë mund të shërbejë si një hapje për Kosovën pasi që vendoset njohja e Kosovës nga pesëshja mosnjohëse e BE-së dhe hapet rruga e anëtarësimit të Kosovës në NATO për hir të sigurisë rajonale duke frenuar kështu aktivitetet malinje të Rusisë”, ka thënë Visoka për Albanian Post.

Ndër të tjera paralajmërimi i presidentit të Ukrainës, sipas Visokës, mund të ketë një sërë efektesh tjera, siç është ai i shtimit të presionit mbi Kosovën që të bëjë lëshime të mëtejshme për të pranuar kushtet e BE-së dhe SHBA-së, në kuadër të procesit të dialogut, për hir të parandalimit të përshkallëzimit të konfliktit.

“Në këtë fazë, ka hapësirë për të formësuar paralajmërimin e Zelensky-it në drejtime të ndryshme dhe i takon kapacitetit të palëve që ta shfrytëzojnë këtë paralajmërim për interesat e tyre”, potencon ai për AP.

Thirrja e Zelensky-it bëri jehonë dhe nuk rra në vesh të shurdhër, meqë ajo u mbështet në mënyrë të hapur edhe nga BE-ja.

Unioni tha se e ndan shqetësimin e presidentit të Ukrainë, se Rusia mund të tentojë të nxisë konflikte në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Këtë e potencoi zëdhënësi i BE-së për çështje të politikës së jashtme dhe të sigurisë, Peter Stano.

“Për një kohë të gjatë ne kemi thënë se Rusia po bën përpjekje për të ushtruar ndikim malinj edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Pra, po, ky është shqetësimi që ne e ndajmë dhe ky nuk është shqetësim i ri, por shqetësim që ka qenë me ne për një kohë. Ne në këtë pikë pajtohemi me presidentin e Ukrainës dhe e dimë që Rusia po bën gjithçka që mundet që të mbjellë pakënaqësi, jo stabilitet politik, ndikim të huaj, manipulim informatash dhe tjera”, tha Stano.

Ai ka shtuar se pikërisht për këtë arsye BE-ja ka shtuar ndihmën për partnerët në vendet e Ballkanit Perëndimor që të përballen me këto kërcënime.

Paralajmërimet e Zelenskyt për mundësinë që Rusia të provokojë konflikt në Ballkanin Perëndimor i kanë komentuar edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, dhe kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, gjatë një takimi të enjten mbrëma në Zagreb.

Ata kanë thënë se “përgjigja më e mirë për të stabilizuar në mënyrë afatgjatë rajonin e Ballkanit Perëndimor nga ana e BE-së do të ishte zgjerimi i Bashkimit Evropian për ta integruar edhe këtë rajon”.

Plenkoviç, ndërkaq, ka përmendur edhe sulmin e fundit të, siç e ka quajtur ai “grupit paramilitar serb“ në fshatin Banjë në Veri të Kosovës, si dëshmi se si mund të eskalojë situata në rajon.

Paralajmërimi i Zelensky-it mund të cilësohet si ogur i zi për të ardhmen meqë ai bëri thirrje të hapur që e gjithë bota të kushtojë vëmendje të shtuar rajonit të Ballkanit./ Albanian Post

Related Posts

Leave a comment