Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Shqipëria, e 7-ta më e ndotura në Europë, normat trefish mbi kufirin e OBSH-së

ndotja-e-ajrit-706x450

Ndotja e ajrit është kërcënimi më i madh mjedisor për shëndetin e njeriut, duke shkaktuar një në çdo nëntë vdekje në mbarë botën. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), ndotja e ajrit është përgjegjëse për rreth 7 milionë vdekje të parakohshme në botë çdo vit.

Ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit PM2.5 përkeqëson shumë kushte shëndetësore, duke përfshirë, por pa u kufizuar, në astmën, kancerin, goditjen në tru dhe sëmundjet e mushkërive. Për më tepër, ekspozimi ndaj niveleve të larta të grimcave të imëta mund të dëmtojë zhvillimin kognitiv te fëmijët, duke çuar në probleme të shëndetit mendor dhe komplikime të sëmundjeve ekzistuese, duke përfshirë diabetin, thuhet në raportin për Cilësinë e Ajrit për vitin 2023, të përpiluar nga IQAir, një organizatë zvicerane e cila përpunon të dhënat e grumbulluara nga 30 mijë stacione të monitorimit në 134 vende të botës.

Studimi shqyrtoi në mënyrë specifike grimcat e imta, ose PM2.5, që është ndotësi më i vogël, por edhe më i rrezikshmi.

Vetëm 9% e 7812 qyteteve të marra në studim plotësonin standardin e OBSH-së, i cili thotë se nivelet mesatare vjetore të PM2.5 nuk duhet të kalojnë 5 mikrogramë për metër kub. Këtu përfshihen Australia, Estonia, Finlanda, Grenada, Islanda, Mauritius dhe Zelanda e Re.

 

 

“Ne shohim se në çdo pjesë të jetës sonë ndotja e ajrit ka një ndikim,” tha CEO i IQAir Global, Frank Hammes.

Si pozicionohet Shqipëria?

Ajri që thithim çdo ditë po përkeqësohet nga viti në vit, sipas raportit.

Vendi ynë renditet i shtati në Europë për nivelin e lartë të ndotjes së ajrit, ndërsa në botë renditet e 60-ta. Përqendrimi mesatar vjetor i PM2.5 është 16.7, duke tejkaluar trefishin e kufirit të vendosur nga OBSH.

Edhe vendet e rajonit nuk paraqiten më mirë, fatkeqësisht.

Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia kryesojnë listën si vendet më të ndotura në Europë. Kosova renditet në vendin e 17-të.

Related Posts

Leave a comment