Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Kriza energjitike, krizë paaftësie

08_09_2014_6601797_Hidrocentralet_ne_Shqiperi

Nga Klodian TOMORRI –

Me gjithë miratimin nga Parlamenti shqiptar të një legjislacioni bashkëkohor në sektorin e energjisë elektrike dhe gazit në vitin 2015, implementimi i kësaj reforme të Paketës së Tretë Rregullatore rezultoi një dështim në të gjitha drejtimet.

Modeli i ri i Tregut i miratuar në korrik të 2016, i cili synonte të mbështeste zbatimin e këtyre angazhimeve në kuadër të Ligjit të ri dhe akteve nënligjore përkatëse u sabotua nga interesat korruptive. Ndërsa reforma tarifore dhe rregullatore, e cila krijoi kushtet për hapjen dhe funksionimin e tregut të liberalizuar u mbyt nga grykësia e tenderave. Po çfarë ka ndodhur realisht me reformat në sektorin e energjisë?

1- Dështim në rritjen e prodhimit vendas

Në 8 vite qeveria aktuale nuk ka ndërtuar asnjë burim të ri energjie për të rritur prodhimin vendas, por ka prodhuar vetëm filma propagande. Më 20 janar 2020, Qeveria hapi garën për ndërtimin e parkut fotovoltaik të Karavastasë prej 140 MW me një kapacitet i ndarë në 70 MW për prodhim dhe shitje në treg të lirë, ndërkohë që 70 MW do të jenë nën çmimin e rregulluar, ose ndryshe i njohur PPA.

Ministrja Balluku do te shprehej se me nënshkrimin e marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë franceze “Voltalia” finalizohet projekti i Parkut Fotovoltaik të Karavastasë dhe se ky projekt, do të përdorej si një “çelës suksesi”, për një proces kompleks në një vit kaq të vështirë ekonomik. Ndërsa Balluku premtonte që studimet, lejet, kontratat ishin pjesë e dosjes së ankandit, në fakt, do të kalonin 6 muaj që të nënshkruhej kontrata që i jep të drejtën shtetit shqiptar të blejë energjinë me çmimin 24.89 Euro/MW, e cila, sipas deklarimeve te ministres është nënshkruar më 31 dhjetor 2020.

Pra, pa mbyllur ende kontratën për Karavastanë, MIE njofton më 19 nentor hapjen e garës tjeter, atë të Parkut Fotovoltaik të Spitallës, i cili do të shtrihet në një sipërfaqe prej 120 hektarësh me një kapacitet prodhues prej 100 MW. Me 25 mars 2021 Balluku njofton mbylljen e ankandit dhe përsëri kompania franceze Voltalia ka fituar garën për të ndërtuar parkun fotovoltaik të Spitallës, me ofertën 29.89 Euro/MW. Ajo ishte në garë me kompaninë kineze “Universe Energy”, e cila ofroi çmimin 46 Euro/MW. Sigurisht që nuk është rastësi që për herë të dytë e njëjta kompani franceze, e cila nuk ka filluar akoma ndërtimin për kontratën e nënshkruar në korrik 2020, fiton një garë tjetër.

Por Ministrja Balluku nuk ndalet me prezantime të hapjes së ankandeve dhe pak dite më parë njofton shpalljen e ankandit për ndërtimin e parqeve eolike në vend. Në fazën e parë prej 12 muajsh, do verifikohen të gjitha argumentet për eksperiencën teknike, burime financiare dhe pozitën ligjore të secilës kompani dhe në fazën e dytë do vlerësohen ofertat financiare. Pra këtu minimalisht duhen të bëhen studimet për 12 muaj nëse ka efektivitet ndërtimi i parqeve eolike në ato zona, pa llogaritur kostot financiare të balancimit të rrjetit dhe dëmet e tjera që shkaktojnë këto disbalanca në rrjet.

Deri tani, 1 viti pas nënshkrimit të kontratës së parë nuk ka filluar ende asnjë punim për ndertimin e parqeve energjitike të burimeve të rinovueshme të premtuara me aq bujë nga zonja Balluku. Kompania franceze thotë se nuk ka siguruar financimin dhe nuk ka përfunduar akoma studimet, ku ai i mjedisit duket se do të ketë vërtet probleme.
Ankande me çmime “sukseshme” që në të vërtetë rezultuan qesharake, tregojnë mungesën e vizionit të qeverisë, ku kanë kaluar rreth 4 vjet nga realizimi i ankandit te parë fotovoltaik të Akernisë dhe ende sot nuk kemi asnje burim të ri të energjisë së prodhuar nga dielli dhe era. Në fakt, për shkak të korrupsionit, tani në vend të burimeve shtesë të energjisë kemi arbitrazhe, ku shteti shqiptar rrezikon qindra milionë euro penalitete.

2- Dështim i politikave me burimet hidrike

Prodhuesit privat të energjisë hidrike u konsideruan si “armiqtë” e mjedisit dhe ende sot, prej më shumë se 3 vitesh nuk është vënë në punë asnjë burim hidrik i konsiderueshëm duke penguar dhe bllokuar totalisht jo vetem realizimin e ketyre investimeve por edhe duke shkaktuar kështu mungesa në bilancin energjitik të vendit. Investimet e fundit domethënëse në sektorin e energjisë janë dy hidrocentrale në kaskadën e Devollit, të kontraktuara nga qeveria e Sali Berishës. Në 8 vjet qeveria aktuale ka bërë propagandë, propagandë dhe vetëm propagandë. Kjo i thotë të gjitha.

 3- Dështim i liberalizimit të tregut

Qeveria shqiptare dështoi në plotësimin e kushteve teknike dhe rregullatore për të nxjerrë konsumatorët jo familjarë jashtë tregut të rregulluar të energjisë. Sot numërohen më pak se 100 konsumatorë të mëdhenj të energjisë elektrike, që operojnë në tregun e liberalizuar nga mbi 170.000 të tillë.
Plotësimi i këtij detyrimi, nuk ishte thjesht një implementim formal i Direktivave të BE. Liberalizimi i tregut do të reduktonte sasinë e energjisë që duhet të furnizojë shteti vetëm në mbulimin e konsumit të familjeve. Paralelisht, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, ndonëse i ndarë ligjërisht, ende nuk ka arritur të jetë plotësisht i ndarë funksionalisht në mënyrë që të krijonte pavarësinë në operacionet e shpërndarjes së enërgjisë në një treg të liberalizuar.

4- Dështimi i krijimit të Bursës Shqiptare të Energjisë

Ngritja e bursës së energjisë u shndërrua de facto në një proces farsë. Më 16 maj 2019, ministrja e energjisë Belinda Balluku shpalli procesin për krijimin e Bursës Shqiptare të Energjisë. Dokumentat për t’u bërë pjesë e Bursës janë paraqitur vetëm nga Operatori i Sistemit të Transmetimit të Energjisë së Kosovës KOSTT sh.a.
Procesi dështoi që në nisje, pasi në garë nuk u paraqit asnjë operator me eksperiencë ndërkombëtare në operimin e tregjeve të energjisë. Por çfarë është më e rëndësishmja nuk u paraqit asnjë institucion financiar, që do të shërbente për ngritjen e kësaj platforme si dhe për rritjen e qëndrueshmërisë dhe besueshmerisë së saj në rajon dhe me gjerë.

Qeveria nuk dha asnjë shpjegim se pse u tërhoq gjiganti evropian i bursave të energjisë, Nord Pool i cili deri atëherë ishte operatori i tregut me i interesuar për administrimin e bursës shqiptare. Shqipëria synonte të aplikonte modelin nordik të tregtimit të energjisë në bazë të të cilit parashikohet krijimi i Bursës së Energjisë ku furnizuesit, tregtarët dhe konsumatorët e mëdhenj të keshin mundësinë të blinin në kohë reale duke i dhënë fund kështu kontratave bilaterale dhe tenderave shtetërore për blerjen e energjisë. Por tenderat kanë para dhe zyrtarët nuk heqin dorë nga paratë. Kjo ndoshta ishte dhe arsyeja kryesore se pse procesi u minua.
Ndërkohë vendet e tjera të rajonit po bëjnë progres. Disa nga bursat e vendeve fqinje pritet të fillojnë shumë shpejt dhe që këtë vit mund të shihen rastet e para të bashkimit të tregjeve. Maqedonia e Veriut gjithashtu ka bëre hapa të mëdha drejt tregut të lirë të energjisë duke u dalluar si pararojë e reformave në sektorin e energjisë. Perkundër këtyre përpjekjeve te vendeve fqinje, Shquipëria vegjeton në propagandë.

5- Dështim në rritjen e sigurisë energjetike

Taksapaguesit shqiptarë kanë paguar 110 milionë euro për ndërtimin e Termocentralit të Vlorës me kapacitet 100 MW. Por edhe pse ka përfunduar në vitin 2001, ky TEC nuk ka prodhuar asnjë kilovat orë energji elektrike.
Prej vitesh, çdo qeveri angazhohet të vërë në punë këtë vepër duke premtuar transformimin e tij, herë në furnizim me naftë dhe herë me gaz, por ende sot i gjithë ky angazhim mbetet vetem në poëer point. Ky TEC u ndërtua pikërisht për këto situata. Një kapacitet rezervë për të garantuar furnizimin me energji të vendit në periudha krizash.

6- Dështim i politikave dhe masave per efiçencën të energjisë

Sot Shqipëria është shumë larg për arritjen e objektivave të uljes së konsumit të energjisë. Implementimi i masave të efiçencës në godina dhe industri do të bënin të mundur uljen e konsumit me masa stimuluese të zgjuara, por në ministrinë e energjisë ka kohë që nuk bëhet më politikë, por vetëm tendera.

Të gjitha këto procese reformuese, të marra së bashku do të kishin arritur të zbusnin sot sadopak krizën energjitike duke ulur kërkesën dhe duke garantuar rritjen e burimeve të reja energjetike në vend. Investimet në ngritjen e burimeve të reja dhe liberalizimi i tregut do ta kishin kthyer Shqipërinë vërtet në një eksportues neto të energjisë dhe jo peng të deklaratave qesharake herë të Edi Ramës dhe herë të Belinda Ballukut.

Sot Shqipëria ndodhet me të vërtetë në udhëkryq dhe mund të përballet me një rritje të konsiderueshme të çmimit të energjisë si e vetmja masë për të përballuar këtë krizë ose mund t’u kthehet kufizimeve të energjisë si 20 vjet më parë. Ndaj kjo nuk është krizë me armiq të jashtëm. Por krizë paaftësie dhe korrupsioni.

Related Posts

Leave a comment