Nga Dashnor Kokonozi-
Duke lexuar disa meditime të Mariana Koçekut mbi San Françeskun dhe letërsinë rrotull shenjtit të Assisit, nisa të kuptoj diçka më shumë për këtë zonjë të vogël, emri i së cilës deri pak ditë më parë kur më erdhi një ftesë miqësie, nuk më thoshte asgjë. Kjo para së gjithash për informacionin tim të pakët mbi jetën e grupimeve politike në Shqipëri.
Siç pritej, do të gjendeshin edhe çakej që iu vërsulen ta shajnë, por çrëndesi ka?
Refleksionet e thella dhe njëkohësisht njerëzore më dhanë të kuptoj se ajo nuk është vetëm një vajzë e ushqyer me kulturë, por edhe një zemër që kërkon të kuptojë botën përmes një drite të brendshme, të ngjashme me atë që Shën Françesku u jepte njerëzve të kohës së tij.
Aty ku shumë zëra të sotëm humbasin në retorikë të zbrazët, ajo arrin të gjejë një ton të qetë, të përkorë, që vjen nga një përsiatje e sinqertë mbi njeriun, mbi brishtësinë e tij, për lidhjen me natyrën, mbi nevojën për mirësi dhe për një lloj spiritualiteti të heshtur që nuk ka nevojë të shpallet me bujë.
Kjo më bëri të kuptoj se, përtej angazhimeve të saj publike, ajo mbart një prirje të rrallë: aftësinë për të parë njeriun jo si gjallesë politike, por si qenie që kërkon kuptim, drejtësi dhe pak dritë në kaosin e përditshmërisë.
Së fundi, si u informova se çfarë kishte ndodhur, kuptova se divorci i saj nga zeqinetë e paditura e arrogante nuk është problem politik, por shkëputje nga një mënyrë të menduari që shkel dinjitetin e njeriut. Ajo nuk është larguar vetëm prej moskuptimeve politike. Koçeku ka prerë lidhjen me një botëkuptim të errët, ku mendja mbyllet, shpirti ngurtësohet dhe fjala humbet peshën morale.
Në këtë kuptim, distanimi i saj është një lëvizje e brendshme drejt një etike më të pastër, një përpjekje për të ruajtur integritetin e vet shpirtëror përballë arrogancës së atyre që nuk dinë të dëgjojnë, të kuptojnë, as të përulen para së vërtetës.

