SHBA ofron 3 mld $ ndihmë të re ushtarake për Ukrainën/ Biden: 6 muaj sulme të pamëshirshme, vetëm kanë…

3 Minuta Lexim

Presidenti Joe Biden njoftoi të mërkurën një ndihmë të re ushtarake për Ukrainën në vlerën e 2.98 miliardë dollarëve.

Në një deklaratë, zoti Biden tha se falë kësaj ndihme, Ukraina do të mund të blejë sisteme të mbrojtjes ajrore, artileri, municione, dronë dhe pajisje të tjera ushtarake, që do të garantojnë mbrojtjen afatgjatë të këtij vendi.

Njoftimi vjen ndërsa sot (e mërkurë) Ukraina shënon ditën e shpalljes së pavarësisë nga ish-Bashkimi Sovjetik.

“E di që kjo ditë është e hidhur për shumë ukrainas, pasi mijëra janë vrarë apo plagosur, miliona janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre dhe shumë të tjerë kanë rënë viktimë e mizorive dhe sulmeve ruse”, thuhej në deklaratën e Presidentit Biden. “Por gjashtë muaj sulme të pamëshirshme vetëm sa kanë forcuar krenarinë e ukrainasve për veten e tyre, në vendin e tyre, si dhe në tridhjetë e një vite të tyre në pavarësi”, thuhej më tej në deklaratë.

Paketa e ndihmës ofrohet në kuadër të iniciativës Ndihmë për Sigurinë e Ukrainës.

Zyrtarët thanë se në të parashikohen para për blerjen e dronëve të vegjël që lëshohen me dorë ‘Puma’, dronë mbikëqyrës ‘Scan Eagle’ që flurojnë për një kohë të gjatë, si dhe për herë të parë për blerjen e dronëve ‘British Vampire’, që lëshohen nga anijet.

Të dhënat mbi ndihmën u bënë të ditura nga zyrtarë amerikanë që folën në kushte anonimiteti përpara se ajo të bëhej publike.

Ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon, ndihma amerikane në fushën e mbrotjes po kalon në një plan afatgjatë që sipas zyrtarëve amerikanë ka të ngjarë të shoqërohet edhe me një prani më të madhe trupash ushtarake amerikane në Evropë në të ardhmen. Më 24 gusht Ukraina shënon 31 vjetorin e pavarësisë nga ish-Bashkimi Sovjetik, si dhe 6 muaj që nga fillimi i sulmit të Rusisë.

Ndryshe nga paketat e mëparshme, që u përqëndruan tek nevojat e ngutshme të Kievit, ndihma e re synon kryesisht në sigurimin e mbrotjes afatmesme dhe afatgjatë të Ukrainës.

Paketa e re synon gjithashtu të garantojë zyrtarët ukrainas për vazhdimin e mbështjes së Uashingtonit edhe pse lufta nuk po ndalet./VOA

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull