Nga Jetmir Shpuza-
“Suksesi nuk është final, dështimi nuk është fatal: guximi për të vazhduar është ajo që ka rëndësi”. Me inspirimin që të jep kjo thënie e legjendarit Winston Churchill kam vendosur të jem pjesë e rëndësishme e garës për postin vakant të drejtorit të përgjithshëm të RTSH-së.
-I bindur se përfaqësoj vullnetin e mbi 90% të punonjësve të RTSH-së,atyre që punën e kanë parim të përditshëm;
-I mbështetur mbi profesionalizmin, përkushtimin dhe dëshirën për ta parë institucionin konkurues dhe dinjitoz;
-I pushtuar nga pasioni për një gazetari sa më bashkëkohore dhe teknologji e inovacion në shkallë sa më të lartë;
– I motivuar për të nxitur arritjet më të mëdha në prodhimin e veprave artistike të çdo lloji:
Shpall ambicien time për të qenë drejtuesi i këtij institucioni të respektuar!
Kjo nuk është thjesht një sfidë të nderuar miq të RTSH-së! Po përpiqem të jem zëri juaj për një të nesërme më të mirë për Radiotelevizionin Shqiptar!
Mendoj se kam energjinë, dëshirën, profesionalizmin, të kombinuara me përvojën administrative për të çuar përpara RTSH-në!
Marka ime, kredoja ime është “Radiotelevizioni Publik Shqiptar”, nuk kam luajtur kurrë për ndonjë televizion tjetër, nuk përfaqësoj asnjë marrëdhënie klienteliste të kujtdoqoftë! Mendoj për ushtrinë prej qindra profesionistësh: gazetarë, regjisorë, operatorë, artistë, instrumentistë, grafistë, teknikë, montazhierë, arkivistë, skenografë, redaktorë, prodhues programesh, specialistë IT, financierë, juristë, punonjës adminstrate, punonjës prapavije e shërbimi….
Të gjithë bashkë mund të bëjmë shumë për ta çuar RTSH-në aty ku i takon. Projekti im i plotëson të gjitha. Ju ftoj t’i bashkoheni këtij projekti!
Ju garantoj transparencë në çdo veprim, në çdo vendimarrje!