Njerezimi do ta gjeje nje zgjidhje…

3 Minuta Lexim

Nga Çapajev Gjokutaj-

E bëjmë për të shpëtuar njeriun nga njeriu, thonë krijuesit e makinave pa shofer. Madje Elon Musk thotë se makinat e tilla, prodhuar nga Tesla, së shpejti do jenë 10 herë më të sigurta se ato me shofer.
Se përse e bëjnë industrialistët modernë këtë lloj makine, cili është motivi kryesor, ha diskutim, por gjithsesi duket se maikinat pa shofer janë e do jenë shumë më të sigurta dhe do zgjidhin një hall të madh: përgjakjen e rrugëve nga aksidentet.
Dhe në një pjesë të mirë të rasteve aksidentet vdekjeprurëse burojnë nga zullume njerëzore: vozitje me shpejtësi tej limiteve të caktuara, vozitje në gjendje të dehur, duke parë celualrin etj.
Makinat plotësisht vetë-drejtuese, shkruante këto ditë një gazetare e FT, nuk pinë; ato nuk shpejtojnë sepse ti je vonë apo thjesht se nuk ke durim. Madje nuk i zë gjumi, as nuk shpërqendrohen nga celulari. Për më tepër, kanë vizion 360 gradë. “Duhet të kesh sy në pjesën e pasme të kokës”, mbaj mend që më tha një herë një shofer kamioni. Automjetet autonome në fakt e kanë.
S’ka asnjë arsye të mos besosh se të gjitha këto janë e po bëhen përditë e më shumë të vërteta. Po ç’do bëhet me miljona taksirat e shoferët, dizenjatorë, analistë të dhënash, financierë e shumë e shumë profesionistë të tjerë që pritet të zëvendësohen nga inteligjenca artificiale në të ardhmen e afërt?
Një mëndje të thotë se njerëzimi do ta gjejë zgjidhjen ashtu siç ka bërë kurdoherë, paçka se kësaj here ka diçka specifike: përparimi teknologjik është tmerrësisht i shpejtë dhe rregullimet sociale, ligjore, administrative nuk mund të ecin me të njëjtin hap.
Në këto rrethana trazirat sociale janë të pashmangshme, thonë disa.
Njeriu do punojë më pak e do dëfrejë më shumë, thonë optimistët.
Puna e bëri majmunin njeri, tallen cinikët, mungesa e punës mund të na bëjë majmunë.
Nuk munda t’u shkoj deri në fund këtyre hamendësimeve se taksia që po e prisja prej çerek ore, më në fund po vjen.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull