Emmanuel Macron: “Putini është një grabitqar, një përbindësh në pragun tonë”

2 Minuta Lexim

Vladimir Putin është një “grabitqar, një përbindësh në pragun tonë” që “duhet të vazhdojë të hajë” për “mbijetesën” e tij, tha Presidenti francez Emmanuel Macron në një intervistë me një rrjet francez, duke u kërkuar evropianëve të mos jenë naivë përballë një Rusie që do të jetë “vazhdimisht një forcë destabilizuese”.

“Që nga viti 2007-2008 (kur Rusia pushtoi Gjeorgjinë), Presidenti Putin rrallë i ka mbajtur angazhimet e tij. Ai ka qenë vazhdimisht një forcë destabilizuese. Dhe është përpjekur të rishikojë regjimin kufitar për të zgjeruar pushtetin e tij”, tha Emmanuel Macron në një intervistë me rrjetin LCI.

Presidenti francez beson se “Rusia është bërë një forcë e përhershme destabilizuese dhe një kërcënim potencial për shumë prej nesh”.

“Një vend që investon 40% të buxhetit të tij në pajisje të tilla (ushtarake), të cilat mobilizojnë një ushtri prej mbi 1.3 milion njerëzish, nuk do të bëhet një shtet paqeje dhe një sistem demokratik i hapur brenda natës”, paralajmëroi ai.

“Rrjedhimisht, dhe për mbijetesën e tij, (Putini) duhet të vazhdojë të ‘hajë’. Dhe kështu ai është një grabitqar, ai është një përbindësh në pragun tonë. Nuk po them se nesër është radha e Francës për t’u sulmuar, por ai më në fund përbën një kërcënim për evropianët (…) dhe ne nuk duhet të jemi naivë”, tha ai.

Në një intervistë tjetër me NBC News, Emmanuel Macron nuk e fshehu pesimizmin e tij për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje paqeje.

“Kur e shoh situatën dhe ngjarjet, nuk e shoh Presidentin Putin që dëshiron paqe tani, por ndoshta po tregohem tepër pesimist.”

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull