Nga Çapajev Gjokutaj–
Javës që shkoi një hall shëndeti bëri të qendroja 2-3 ditë në Piza. Kohë e mjaftueshme për të zhveshur qasjen e turistit, që e përqendron vemendjen tek kulla e famshme e tek kompleksi historik për rreth saj. Dhe të krijon kështu mundësinë për ta parë qytetin në një rrafsh tjetër, më human e pse jo edhe më meditativ.
Ndër gjërat e qenësishme që realizova ishte se Piza nuk të kërkon ta shohësh, por të fton ta ndjesh. Është një qytet që nuk bërtet, por flet me zë të ulët, me ritmin e gurëve të vjetër, me ngjyrat e ngrohta që mbulojnë fasadat si një mantel i përbashkët. Arkitektura e saj nuk synon të dominojë, por të bashkëjetojë. Urbanistika nuk imponon, por udhëheq me butësi.
Thuajse të gjitha ndërtesat janë të lyera në nuanca të njëjta (terrakotë, okër, bezhë) duke krijuar një peizazh pamor të unifikuar, ku sytë nuk lodhen, por prehen. Ky unitet ngjyrash dhe formash nuk është rastësi, por pasqyrim i një filozofie qytetare që vlerëson ekuilibrin mbi spektaklin.
Rrugicat e ngushta, sheshet e qeta dhe ndërtesat me përmasa të njerëzishme e lartësi modeste e bëjnë Pizën një vend ku njeriu ndjehet pjesë e hapësirës, jo i huaj në të. Është një qytet që të mëson të ecësh ngadalë, të vështrosh me kujdes, të dëgjosh mërmërimat e gurëve, zërin e historisë, fjalosjen bashkëkohore.
2.
Ndërsa ecja në rrugicat e qeta të Pizës, shpesh më vinin në mend qytet tona, ku thuajse çdo gjë bërtet, këlthet, madje edhe sokëllin. Në to, si rregull, ndërtesat nuk bashkëjetojnë, por konkurrojnë; urbanistika nuk rrjedh, por përplaset. Nëse në Pizë çdo fasadë dukej si pjesë e një simfonie të përbashkët; në qytetet tona thuajse çdo ndërtesë ngjan me një solo që, duke synuar të mbizotërojë fqinjën stonon rëndshëm.
Ky kontrast nuk është thjesht estetik. Ka rrënjë të thella historike, sociale dhe politike. Piza është produkt i një zhvillimi të ngadaltë, të qëndrueshëm, ku trashëgimia është ruajtur me kujdes dhe ku çdo ndërhyrje ka respektuar kontekstin.
Gjatë periudhës 5 shekullore kur Piza ishte republikë mesjetare, qyteti krijoi një traditë solide qeverisjeje të decentralizuar që lejonte pjesëmarrje të gjerë si të aristokracisë ashtu edhe të tregëtarëve në vendimmarrje. Pas bashkimit të Italisë rol të rëndësishëm në ruajtjen e fizionomisë urbane të Pizës luajti universiteti i saj i famshëm që daton qysh nga shekulli XIi.
Qytet tona janë ose relativisht të rinj ose të formësuar nën thyerje tektonike ideologjish që kanë zvendësuar shpejt e shpejt njera tjetrën, pa arritur të harmonizohen, sepse kaluan thuajse mekanikisht nga ndikimi otoman, te vizioni italian i viteve ’30, te standartizimi socialist dhe më pas te kaosi post-totalitar.
Në këto faza, çdo regjim ka dashur të lërë gjurmën e vet, shpesh duke fshirë atë që ishte më parë ose edhe thjesht duke mos e përfilluar, si të ishin shemra nën të njëjtën çati por që as japin e as marrin me njera tjetrin. Kjo ka sjellë një eklektizëm të paqëndrueshëm, ku stilet përplasen, ku ngjyrat nuk komunikojnë, ku hapësirat publike janë të paqarta dhe shpesh të papërdorshme. Ndërtesat e reja shpesh janë të larta, të zhurmshme, të ndërtuara pa ndjeshmëri ndaj kontekstit urban apo historik.
3.
Kur flet për përplasje ideologjish dhe pranëvenie mekanike të tyre, vetkuptohet se nuk fajëson ato, as modelet arkitekturore e urbanistike që ideologjitë formësojnë. E keqja në këtë rast nuk vjen nga jashtë, rrënjët e saj janë këtu, brenda nesh në mentalitetin, zakonet dhe praktikat e menaxhimit.
Mungesa thuajse e përhershme e menaxhimit të decentralizuar të qyteteve ka bërë që urbanistika dhe arkitektura të jenë tema të huaja për komunitetet dhe qytetarët. Pothuajse denbabaden për to kanë vendosur ca pak njerëz mbështetur në dijet dhe shijet e tyre, po edhe në interesa që përfundojnë tek kuleta.
Në vitet 1990 psh ndërtimet jo vetëm që morën hov të paparë, por edhe u shndërruan në një aktivitet thuajse puro ekonomik, i shkëputur dhunshëm nga normat urbanistike. Në një klimë të tillë, të shoqëruar nga një shtet i dobët e i nëpërkëmbur, lulëzuan ndërtimet pa leje, secili pas qejfit të vet.
Strategjia e zhvillimit urban u përmblodh shpesh në slloganin ‘tokë e xanun’. Kjo solli ndërtime pa leje, legalizime masive, dhe projekte që nuk respektojnë asnjë kriter estetik apo funksional. Vendin e funksionalitetit dhe të estetikes e zuri një korrupsion endemik ku shteti përfaqsohej nga njerëz me etiketë punonjësi civil, por me veprime sekseri që xhepin e vet e vë mbi interesat e komunitetit.
Veç këtyre edhe cilësitë civike të të ardhurve të rinj kanë luajtur e luajnë një rol të kosiderueshëm në përçudnimin e zonave qyetetare. Shumica e qytetarëve të sotëm janë të ardhur nga zona rurale, me një kulturë të ndërtimit individual, jo kolektiv. Kjo ndikon në mënyrën si ndërtohet dhe si përjetohet hapësira urbane: më shumë si pronë private sesa si pjesë e një strukture të përbashkët.
Natyrisht do shihje ëndrra në diell apo do kallzoje ‘dokrra hinit’ nëse do kërkoje që qytetet tona t’i ngjanin Pizës jo në kuptimin e shtrirjes dhe të harmonisë, po sidomos në krijimin e një ambjenti ku njeriu të ndihet komod dhe jo i bezdisur nga eklektizmi që bërtet e çirret në çdo hap. Ajo që kristalizohet në shekuj vazhdimësie nuk mund të arrihet në pak dekada që, fakeqësisht rastisi të jenë edhe periudhë mishmashi total.
Rastisi thua, apo….? Gjynah mos paça po kjo dilemë s’di pse më kujton atë këngën ‘o balo, të hëngër tënja/ e ke të keqenë brënda’